Këtë vit iPhone-i feston 10-vjetorin dhe ka paralajmëruar hedhjen në treg të modelit më të ri, iPhone 8, si dhuratë për fansat e çmendur të Apple.
Prej muajsh mediat mbi teknologjinë nuk bëjnë gjë tjetër veçse të nxjerrin spekulime, foto të marra ilegalisht dhe parashikime që tregojnë si do të jetë ky telefon i bekuar. Dimë se do të kushtojë të paktën 1 mijë dollarë, pra do të jetë iPhone-i më i shtrenjtë i viteve të fundit, dhe shumë thonë se do të vijë me një karikues wireless, pra pa tela.
Por një prej ndryshimeve kryesore të iPhone 8-ës nga modelet e mëparshme është se nuk do të ketë butonin e vetëm të rrumbullakët, siç jemi mësuar.
Ky buton do të zëvendësohet me një sensor brenda ekranit që do të njohë edhe shenjat e gishtërinjve, ashtu siç bënte butoni. Do të jetë i pari telefon që do ta ketë këtë sensor brenda ekranit.
Sajti i famshëm për teknologjinë, “BRG”, ka siguruar një foto të rrallë të iPhone-it të ri nga afër, pra jo thjesht një skicë, ku duket qartë se të gjitha këto thashetheme për heqien e butonit do të jenë të vërteta.
Përveç kësaj, dizajni i jashtëm i iPhone-it duket shumë i ngjashëm me atë të modeleve të mëparshme.