Humbja e Blerta Pepës ishte një tragjedi që preku familjen por jo vetëm. 16-vjeçarja ndërroi jetë të hënën pas një operacioni në gju, i cili supozohej të ishte një ndërhyrje e lehtë.
Familjarët e saj ishin mbledhur në spital të shqetësuar se operacioni mund të linte ndonjë pasojë në të ardhmen, sepse Blerta kishte dëmtuar ligamentin dhe meniskun e gjurit, ky mjaft delikat. Por nuk ua merrte mendja se Blerta s’do të dilte e gjallë nga salla e operacionit.
Daja dhe vëllai i Blertës treguan tek emisioni “Rudina” se çfarë ndodhi atë ditë në spitalin privat, ku i kishin sygjeruar të shkonin.
“Ka qenë një ditë e gjatë edhe për Blertën që duhej të ishte operuar të hënën në 10 të mëngjesit, por për orë të tëra nuk patëm asnjë komunikim.”, tregoi i vëllai, Rolandi.
Operacioni ishte vonuar dhe Blerta kishte pritur rreth 12 orë për të hyrë në operacion. Kjo sipas familjarëve mund të jetë edhe një shkak për atë çfarë ndodhi, sepse gjatë kësaj kohe Blerta nisi të kishte ankth dhe nuk mori asnjë qetësues. Megjithatë, ata tregojnë edhe se Blerta kishte pasur më parë probleme me bronkit astmatik, deri në moshën 12-vjeçare.
“Gjatë gjithë ditës nuk ka pasur fare shërbim, përkujdesje sepse motra kishte ankth, askush nuk e pyeste apo t’i jepte kurajo.”
Nga ana tjetër, autopsia e spitalit “Continental”, thotë se komplikacioni që solli vdekjen e 16-vjeçares është hipotermi malinje, një alergji e rrallë ndaj anestetikëve që nuk kapet dot nga analizat paraprake. Në deklaratën për shtyp, shkruhet se janë bërë të gjitha procedurat e duhura për hyrjen në operacion, por familjarët tregojnë se nuk ka qenë aspak kështu.
“Para se të futesh në operacion mjeku duhet të konsultohet me familjen dhe me motrën, për problematikat që ka pasur nga lindja e deri tani, për shkak të diagnozës. Është një procedurë që duhet bërë para çdo operacioni. Por kjo nuk u bë në asnjë moment me Blertën.”, thotë i vëllai i cili tregon se ka patur një operacion të ngjashëm në Gjermani dhe shton se shumë procedura që i kanë bërë atje, nuk janë kryer me Blertën.
Operacioni nisi rreth orës 19:30. Rreth orës 10 mjeku doli t’i informonte se kishte përfunduar me sukses. Por Blerta nuk po dilte. Familjarët tregojnë ankthin kur filluan të shikonin lëvizje të dyshimta rreth sallës së operimit, e më pas mjekët u kërkuan me ngulm që të zbrisnin në kat të parë e të prisnin atje.
Ishte i vëllai, Rolandi, ai që vendosi të hynte në sallën e saj me çdo kusht dhe të kontrollonte çfarë po ndodhte. I përlotur, tregoi se pa të motrën pa jetë.
“Na kërkuan të zbrisnim poshtë, kjo na bëri përshtypje.”, tregoi ai, “Gjysmë ore këmbëngulëm, por askush nuk na thoshtë asgjë. Unë hyra duke shqyer derën, dhe pashë motrën të rrethuar nga mjekë. Nuk kishin ç’të bënin më, kishte marrë fund.”
Ndërsa ekspertiza e spitalit përcakton hiperterminë malinje si shkak të vdekjes, familjarët sigurojnë se ekspertiza mjeko-ligjore nuk e ka konfirmuar këtë, dhe se nuk ka ende një rezultat.