Metropolitan > Art & Libra

Historia e mrekullueshme për gruan, lirinë dhe dashurinë tani në shqip

“Shoqëruesja” është romani më i ri në shqip i shkrimtarit të njohur John Galsworthy.

E njohim prej klasikut “Lulet e mollës”, por edhe këtë herë do të lexoni një roman që e trajton dashurinë dhe lirinë në mënyrë po aq magjepsëse dhe më të shtjelluar, të shqipëruar nga Anxhela Cikopano (Hoxha).

Është në fakt, një prej veprave më të dashura për lexuesin e John Galsworthy-t, ku gruaja, të drejtat e saj dhe dashuria, janë qendra e rrëfimit që do t’ju mbajë zgjuar një natë të tërë.

Libri me një fjali

Romani, pjesë e një vepre madhore të cilës autori i kushtoi tërë jetën, në thelb ka një temë të thjeshtë, atë të të drejtave të individit, e sidomos të një gruaje, për të jetuar e dashuruar.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Shoqëruesja” është romani i shtatë i serisë “Kronikat e Forsajtëve”, e cila përbëhet nga tri trilogji mbi Forsajtët dhe familjet e lidhura me ta. Trilogjia e tretë, “Kapitulli i fundmë”, ndjek familjen Çerëll dhe “Shoqëruesja” është romani i parë i kësaj trilogjie. Në qendër të librit është një vajzë e re, Dini, rreth së cilës, përveç frymës së një moderniteti të ri dhe gjithëpërfshirës, vërtiten histori dashurie. Përqendrimi te familja Çerëll ka sjellë një frymëmarrje të re dhe freski, një ritëm të ri, aq sa trilogjia është tejet e këndshme. Vijojnë të spikasin karakteret e femrave të forta, të mprehta e gjuhëshkathëta, por edhe stili ironik i autorit nobelist anglez, që jo rrallë të bën të vësh buzën në gaz, edhe kur nuk do. Në vitin 1932, çmimi Nobel për Letërsinë iu dha John Galsworthy-t “për madhështinë e artit të tij të rrëfimit, i cili arrin formën më të dëlirë në Sagën e Forsajtëve”.

Autori

John Galsworthy (1867 – 1933) ishte një shkrimtar dhe dramaturg anglez, veprat më të njohura të të cilit janë “Saga e Forsajtëve”, “Një komedi moderne” dhe “Kapitulli i fundmë”. Ai fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 1932. Përveç statusit të tij letrar, Galsworthy ishte gjithashtu një aktivist i njohur, për çështje të tilla si mbrojtja e të drejtave të grave, reforma e burgjeve dhe mbrojtja e kafshëve. Galsworthy ka qenë kryetari i PEN, një organizatë që nxit bashkëpunimin ndërkombëtar përmes letërsisë.

Artikuj të ngjashëm

. .