Shëndeti > Vetebesimi

5 grupe njerëzish që e kanë tmerr sezonin e plazhit!

Nëse i njihni, ne ju themi si t’i qetësoni.

Grupi 1: Mamatë që sapo kanë lindur dhe kanë zbuluar se barku nuk zhduket automatikisht
Papritur këto mama shohin veten e tyre me rroba banjë dhe gjoksin e fryrë dhe s’u pëlqen asgjë. Dakord, e rëndësishme është shëndeti i fëmijës, por kjo rrudha këtu poshtë kërthizës çfarë është? Për herë të parë duhet të vesh rroba banje me trup?! E tmerrshme! Po bebi mos më merr infeksione në det? Mos më digjet në diell? Po kur bebi do të flejë edhe unë do duhet të mbyllem me të në dhomë? Ndihmë!

Si t’i qetësojmë: Keni lindur një fëmijë dhe ju garantojmë që askush nuk do t’ju shohë nga trupi. Nëse ju zënë të dridhurat kur e mendoni "quo vadis" trupi juaj i bukur, atëherë mbajeni fëmijën afër gjatë gjithë kohës, sa për t’i kujtuar botës (që ju garantojmë se s'e ka mendjen tek ju) se keni sjellë një jetë dhe po kontribuoni për të mirën e këtij kombi!

Grupi 2: Ata që nisën palestrën në prill, por e ndërprenë nga shirat dhe kanë vendosur ta nisin në maj
Pasi kanë bërë qejf sa kanë dashur, duke ngrënë M&M në krevat dhe duke postuar foto ushqimesh në Instagram, tani u kujtuan (se erdhi koha e plazhit) për të rënë në peshë. Dhe natyrisht, deliruan pak kur menduan se mund të arrijnë trupin perfekt për 1 javë! Ëndërr e bukur për të qënë e vërtetë!

Si t’i qetësojmë: Këta lloj njerëzish duhet të kuptojnë që edhe Victoria’s Secret nga 10000 trupa të bukur që i vijnë në audicione, zgjedh vetëm 10 dhe ato të 10-ta pëlqejnë tek trupi i shoqes diçka që s’e kanë vetë. Pra muhabeti i trupit perfekt s’ka kurrë fund, ndaj nëse s’jeni shqetësuar këto muaj, ruajeni atë lloj mentaliteti edhe gjatë verës. Vetëm nëse doni të merrni pjesë në ndonjë konkurs bukurie të tipit Miss Plazhi për 1 milion euro. Në këtë rast, ju sugjerojmë urgjent “Dietë me milingona dhe bar”!

Grupi 3: Ata që digjen, që kanë alergji diellin, që s’durojnë dot rërën, që ua shpif kripa në lëkurë.
Nëse ka diçka që këta njerëz i bezdis më shumë, është fakti që herë pas here janë të kushtëzuar të dalin e të rrinë me orë të tëra në një plazh, kur fare mirë mund të mbylleshin në një dhomë me kondicioner. Nuk e kuptojnë të mirën e të ndenjurit në shezlong dhe për më tepër, disa e urrejnë ndjesinë e rërës në trupin e tyre.

Si t’i qetësojmë: Sugjerojini Ladival, i vetmi krem farmaceutik për mbrojtje ndaj diellit. Ai ka një linjë për ata që janë alergjikë ndaj diellit dhe një tjetër linjë për një mbrojtje shumë më të thellë se kremërat e thjeshtë kozmetikë. Ndërsa për detin dhe rërën? Të vetmet zgjidhje janë: Shapkat, plazh me plaftorma dërrase dhe një dush pranë.

 

Grupi 4: Ata që kanë shoqëri me lekë, por vetë nuk kanë asnjë kacidhe .
Ose më saktë kanë një rrogë normale që nuk u lejon të ndjekin nga mbrapa tekat e shoqërisë për fundjava në Dhërmi, shezlongje në rresht të parë dhe shampanjë në breg të detit. Kur vjen vera nis edhe dhimbja e kokës se si dreqin do ta kapin ritmin e shpenzimeve të shokëve të tyre.

 

Si t’i qetësojme: Futini me gjithë rroba në një dush të akullt. Dhe nëse nuk qetësohen, atëherë “ftillojini” duke u thënë që nuk është nevoja të lypësh borxhe e kredi për të pasur një jetë që nuk mund ta përballosh, por fare mirë nëse të pëlqen ajo lloj jete, mund të investosh më shumë tek vetja dhe në punën tënde dhe një ditë do t’ja arrish. S’përballon dot vajtje-ardhjet në Dhërmi? Punë e madhe! Ka plot shokë që kanë financat e tua (Shqipëria pavarësisht se si duket në instagram, ka më shumë të tillë) dhe mund të argëtohesh në pishina ose të planifikosh të paktën 2 fundjava në verë jashtë Tirane. Se s’more pjesë në çdo eveniment shampanjë-derdhje, nuk humb ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

Grupi 5: Ata që sapo janë ndarë
E njohim atë ndjenjë. Jo më kot disa e shtyjnë ndarjen deri në shtator, që të paktën të bëjnë sikur janë çift edhe për disa muaj pushimesh. Kur sapo je ndarë, të krijohet ideja sikur të gjithë çadrat rrotull teje do të jenë plot me çifte të lumtur, familjarë besnikë dhe të gjithë do të shohin nga ty me keqardhje.

Si t’i qetësojme: Gëzojini që më në fund dolën nga një marrëdhënie që nuk ishte shkruar për të ndodhur dhe mund të shijojnë verën me shoqëri, pa asnjë detyrim/përgjegjësi ndaj një partneri, që në fund të fundit doli që nuk ishte ai/ajo “e jetës”. Ka plot meshkuj e goca të bukura “single” në plazhe dhe mbrëmjet në klube u japin më shumë përparësi beqarëve. Ajo puhia e detit me pak alkol, ka një efekt magjik. Ju a garantojmë ne. Provojeni!

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm