Metropolitan > Art & Libra

Edhe 'Corriere della sera' u mahnit pas vizatimeve të Ramës

Prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” ka zgjedhur një nga punimet e ciklit të njohur me vizatime të kryeministrit Edi Rama për kopertinën e suplementit të kulturës “La Lettura”. I njohur për stilin e tij në këto lloj vizatimesh (Doodle)-të realizuara ndërmjet viteve 2000-2012 -kopertina ngjan me një axhendë tipike të pasdites së kryeministrit.

Të guxojë me ngjyrat dhe format e veçanta është në karakterin e tij artistik, pasi siç e dimë, ai nuk e ka për herë të parë përfshirjen në të tilla projekte dhe bashkëpunime.

Kujtojmë që para 2 vitesh, Rama ka hapur një ekspozitë në muzeun e njohur “Michael Schultz” në Berlin, ku prezantoi rreth 150 piktura të këtij stili. Ai vetë pohon se pikturat i ka realizuar në tryezën e punës mbi shkresa apo fleta takimesh, në fleta zyrash siç i quan ndryshe.

Një vit më parë, kryeministri pati debutimin e tij në Itali (31 maj- 22 qershor), ku ekspozoi një sërë veprash dhe në secilën prej tyre dallohet qartë figura e artistit e pandarë nga ajo e politikanit. Të krijuara brenda mureve të zyrës së tij, ende nuk është e qartë nëse kjo formë e ndihmon kryeministrin të përqendrohet më shumë apo të çlodhet përmes fantazisë.

Përpos faqes zyrtare së Instagram-it, kopertinën e “La Lettura-s” e ka publikuar gjithashtu një nga stilistët me më shumë influencë në botën e modës, Stefano Gabbana, gjë e cila ka bërë krenarë shumë nga ndjekësit shqiptarë dhe jo vetëm, që kanë parë suplementin e prestigjiozes italiane të shkruar në gjuhën shqipe.

Artikuj të ngjashëm