Kur vendosim të martohemi ne i betohemi njëri-tjetrit se do të jemi bashkë në të mirë e në të keq dhe kur vijnë momentet e këqia, me fat janë ata që kanë përkushtimin e plotë të partnerit, si në rastin e deputetit të LDK-së, Bardhyl Meta, i cili i është mirënjohës të shoqes, Adelina Thaçi, që i ndenji pranë në çdo moment gjatë betejës së tij me kancerin.
Pas rrëfimit ekskluziv të këngëtares Thaçi në emisionin “Talk” të televizionit KTV, Bardhyli, i cili ia doli të triumfonte mbi sëmundjen e rëndë të kancerit, postoi një status mallëngjyes falenderimi për gruan e tij, të cilën e quan “heroinë”.
“Në gjashtë muajt e fundit të kalvarit tim me kanceritn s’më ka lënë asnjë sekondë vetëm. Sikur edhe në ato 6-7 ditët e netët e rënda pas operacionit të dytë 12 orësh, kur unë isha në koma 7-ditëshe, Adelina më ka folur tek veshi për 18 orë rresht; për vajzat tona, për ne të dy e lidhjen tonë, më ka kënduar të gjitha këngët e mia, më ka lexuar qindra letra që vinin në ditë prej miqve, dashamirësve e familjarëve tanë. “
Ai e mbyll rrëfimin me një deklaratë tepër prekëse, referuar intervistës së Adelinës: “Një rrëfim që m’i ktheu lotët dhe përjetimet e Heidelbergut të Gjermanisë (qytetit tim të ri-lindjes) dhe më ktheu edhe krenarinë– për faktin se çfarë burrneshe ma dhuroi Zoti si bashkëshorte, kur më përballi e lidhi me Adelinën.
Postimi vjen pas një rrëfimi prekës të këngëtares, nënë e dy vajzave, e cila ndër të tjera tregon se pjesa më e vështirë e përballjes me sëmundjen e të shoqit, ishte sqarimi që duhet t’i jepte vajzës së madhe, Fionës.
“Me Fionën e kam pasur më të vështirë dhe çdo herë më pyeste se çfarë ka ngjarë me babin. Unë mundohesha t’i gjeja shpjegime duke thënë se është rrëzuar e gjëra të tilla.”
Nga e gjithë kjo histori dramatike, që fatmirësisht u mbyll me sukses, Thaçi tregon se ka mësuar diçka: Të mos ketë frikë nga vdekja.
“Gjatë atyre gjashtë muajve unë kam pasur dy biseda të rënda me Bardhin. Se nuk ka qënë e lehtë me m’lënë një bllok ku të shkruhej: “Nëse ndodh kjo, ke këtë, nëse ndodh kjo, ke këtë.” Tani i përjetoj më rëndë dhe them se si unë i kam përballuar këto gjëra. Prapë po them që kam qënë në shok. Dhe tani nuk ia kam frikën vdekjes, se kam shkuar gati deri në fund. E kam testuar gjatë asaj kohe shumë veten, sado që më dhimbte shumë shpirti, e kam testuar veten sa jam e fortë.”
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.