Si jetojmë > Beje Vete

Këto pako ju hyjnë aq në punë, sa s’do t’ju shkojë më ndërmend t’i hidhni

Nuk vendosen kot nëpër kutitë e produkteve që blini; pakot e vogla të silicës kanë një funksion kryesor që mund t’ju zgjidhë shumë punë.

Zakonisht gjenden në kutitë e këpucëve, por edhe në çdo produkti tjetër që duhet të qëndrojë pa lagështirë. Por ne zakonisht i hedhim sa nxjerrim këpucët.

Në fakt, mund t’i përdorni për shumë gjëra dhe madje, mund t’ju shpëtojnë pajisjet e shtrenjta elektronike. Ja disa nga përdorimet më praktike të xhelit të silicës:

Shpëton telefonin nga lagia
Ndodh në ditë tersi që telefoni të na bjerë në ujë. Për të përthithur menjëherë lagështirën, vendoseni telefonin tuaj brenda një qeseje plastike bashkë me disa pako me xhel silice, në mënyrë që ta mbulojnë në të dyja anët.
Ruan stolitë nga nxirja
Vendosni pako silice brenda kutisë së bizhuterive që të përthithin lagështirën, për të ruajtur shkëlqimin e tyre. Lagështira shkakton nxirjen e bizhuterive ndaj nëse nuk doni t’ju nxihen gishtërinjtë dhe qafa, silica është zgjidhja e duhur.
Largon erërat e këqija
Nëse ju duhet të mbani rroba dhe atlete në çantë, zakonisht në çantat e palestrës, vendosni një ose dy pako silice brenda. Erërat e këqija vijnë nga bakteret që jetojnë në lagështirë, të cilën silica e përthith duke mos lejuar përhapjen e erës.
I mban ushqimet e thata, të thata
Kujdes: xheli i silicës është i dëmshëm për t’u konsumuar. Megjithatë, mund t’ju shërbejë për t’i mbajtur të thata ushqimet e thata, si përshembull biskotat, patatinat e të tjera. Për të mos e vendosur pranë ushqimit (që sidoqoftë nuk ju gjen gjë përsa kohë pakoja e silicës nuk hapet) mund ta ngjisni pas kapakut.
Ruan dokumentet e rëndësishme
I keqtrajtojmë dokumentet e rëndësishme nëse nuk u vendosim një pako silice. Lagështira i shkatërron, duke fshirë edhe shkrimin ndaj në këtë rast, e mira është të vendosni pakot e silicës sa më shpejt. Gjithashtu mund ta përdorni për të mbrojtur nga lagështira kasetat me shirit.
Zgjat jetëgjatësinë e ushqimeve për kafshët
Ushqimet për kafshët janë zakonisht të thata, ndaj si në rastin e ushqimeve tona një pako xhel silice i mbron ato nga lagështimi dhe prishja. Edhe në këtë rast duhet të siguroheni që pakoja të mos hapet, ose për siguri, ngjiteni tek kapaku i enës ku i mbani.
Ruan ilaçet
Shumë kuti ilaçesh kanë pambuk në pjesën e kapakut, që t’i ruajë barnat nga lagështira. Megjithatë pambuku nuk i mbron plotësisht dhe nëse doni që barnat të japin efekt, përdorni pakot e silicës.
Freskon ambientin
Këtu ju duhet ta hapni pakon e silicës por kujdes: nëse keni fëmijë dhe kafshë në shtëpi, sigurohuni që ta mbani sa më larg tyre. Hapni pakon e silicës dhe hidhini kokrrizat e xhelit në një tas, dhe për ta aromatizuar shtëpinë mund t’i shtoni edhe vajra esencialë me aroma të ndryshme. Do të largojë lagështirën duke e mbajtur ambientin të freskët.
Largon aromat e rënda nga dollapi
Sidomos kur ndajmë më vete rrobat e stinës që iku dhe duhet t’i lëmë ato për gjysmën e vitit në sirtar, marrin një erë të rëndë. Por pakot e silicit e shmangin këtë, ndaj vendosni një ose dy të tilla në çdo sirtar për t’i ruajtur rrobat derisa dimri të kthehet prapë.
Ruan pajisjet sezonale
Ngrohëset, ventilatorët e ndryshëm apo dritat e vitit të ri do t’ju duhen edhe vitin tjetër. Nëse nuk i ruani ato dëmtohen shumë shpejt nga lagështira. Për të evituar dëme dhe për të kursyer para, brenda kutive fusni edhe disa pako silice.

Artikuj të ngjashëm