Dje në Kiev, Ukrainë, u mbajt ceremonia hapëse e Eurovision 2017. Artistë nga 42 shtetet pjesëmarrëse parakaluan në tapetin e kuq, mes tyre edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Lindita Halimi.
Halimi u shfaq me një fustan ngjyrë nude, të zbukuruar me stoli ngjyrë argjendi, me fruda në pjesën e supeve, kombinuar me një palë këpucë të larta ngjyrë floriri.
Lindita ishte e shoqëruar nga ekipi i Shqipërisë në këtë Eurovision, vajzat e zërave të dytë dhe përfaqësuesit e Radio Televizionit Publik Shqiptar.
Fustani i saj është dizenjuar nga Joni Peçi, i cili ka krijuar edhe fustanin që Lindita do të veshë në skenën e Eurosong-ut.
Nesër, Halimi do të performojë e katërta në gjysmëfinalen e parë të Eurosong-ut, ku do t’i duhet të kualifikohet për në finalen e madhe të 13 majit. Këtë vit Shqipëria përfaqësohet me këngën “World” (Botë), me produksion muzikor të Klodian Qafokut dhe tekst të Lindita Halimit me Big Basta-n.