Sot, Muzeu Metropolitan i Artit në New York do të hapë dyert për eventin më të madh të modës: Met Gala.
Çdo vit përzgjidhet një temë së cilës duhet t’i përshtaten veshjet e të famshmëve që do të kalojnë në tapetin e kuq më glamoroz të vitit. Këtë vit, Met Gala-ja do të ketë një temë në nder të një prej dizenjatoreve më me ndikim në historinë e modës: Rei Kawakubo, themeluesja e markës “Comme des Garçons”.
Edhe këtë vit, drejtuese do të jetë kryeredaktorja e revistës “Vogue”, Anna Wintour, ndërsa do t’i bashkohen: Tom Brady, Gisele Bundchen, Katy Perry dhe Pharrell Williams.
Anna Wintour e drejton këtë event që prej 1999-ës, vit në të cilin ky event u kthye në ngjarjen më të madhe të modës në Hollywood; deri më atëherë kishte pasur përmasa lokale.
“Met Galaja” e këtij viti është e shënuar, sepse është hera e dytë që prej 1983-it (asokohe ishte në nder të Yves Saint Laurent), që i kushtohet një dizenjatori që është i gjallë. Natyrisht, ngjarja e vërtetë ndodh brenda muzeut, ku ekspozohen krijimet më të veçanta ndër vite të Rei Kawakubo-s.
Por duhet të theksojmë se biletat për të parë ekspozitën janë disi të kripura. Përshembull, 30 mijë dollarë. Për yjet e Hollywood-it që do të shkojnë sot atje s’janë asgjë dhe nuk po llogarisim shpenzimet për fustanet, bizhuteritë dhe aksesorët që duhet të jenë në nivelin më të lartë.
Megjithatë, i gjithë ky publicitet nuk është një kotësi e madhe ose, siç njihet “vanitet”. Është eventi më i famshëm i bamirësisë në planet: të gjitha të ardhurat që mblidhen nga “Met Gala” shkojnë për të ndihmuar shtresat në nevojë.