Një status në Facebook mjaftoi që Simon dhe Eliona Shkreli, burrë e grua në profesion gazetarë, të mbeten të papunë. Prej vitesh të dy punonin krah njëri-tjetrit në një media lokale në Shkodër, por tani jo më. Sipas 'Newsbomb' prezantuesit e lajmeve po drejtonin edicionin informativ, kur kanë marrë lajmin se ishin pushuar nga puna.
Sipas një deklarate të unionit të gazetarëve profesionistë të veriut, që dënonin ashpër largimin e tyre të papritur nga puna, ky vendim i drejtuesve të televizionit ka ardhur pas një komenti të Simon Shkrelit në Facebook-un e tij personal rreth zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, që siç duket është kundër interesave të tyre.
“Edhe më flagrant është largimi nga puna i koleges Eliona Kodra Shkreli, e cila nuk kishte asnjë lidhje me statusin në Facebook të bashkëshortit të saj. Largimi i saj mund të konsiderohet thjesht raprezalje për shkak të lidhjes bashkëshortore me Simon Shkrelin,” shkruhet në statusin e UGPV.
Pas këtij vendimi Simon Shkreli ka reguar nëpërmjet një tjetër statusi, ku premton të vazhdojë të ruajë lirinë e tij, pavarësisht pasojave.
“Si njeri i lirë jam munduar gjithmonë të shpreh mendimin tim. Por ja që edhe liria e ka një çmim. Kam zgjedh e do zgjedh të ruaj lirinë time. Pavarësisht pasojave!”
Simoni dhe Eliona kanë patur një mbështetje shumë të madhe nga kolegë e dashamirës, që kanë nisur një fushatë solidarizimi në rrjete sociale, për ata dhe të gjithë rastet e ngjashme ku fjala e lirë burgoset nga politika.