Ditën e djeshme, kryebashkiaku Veliaj ishte ftuar në ceremoninë e diplomimit për 3000 studentët e universitetit amerikan shtetëror Grand Valley.
Në ceremoni sëbashku me të, ishte dhe presidenti ekzekutiv rajonal i bankës PNC, për të mbajtur një fjalim falenderues përballë të gjithë të pranishmëve.
Veliaj u nderua gjithashtu edhe me çmimin Doctor Honoris Causa në Shërbimet Publike, gjë të cilën vetë ai e ka bërë publike në faqen e tij në Instagram.
Që në angazhimet e tij të para si pjesë e shoqërisë civile me organizatën Mjaft dhe më pas me partinë G99, Erion Veliaj është akuzuar se i mungon diploma e një universiteti. Kryesisht akuzat niseshin nga fakti që ai ka shprehur se ka qenë në misione humanitare në Afrikë dhe se ka punuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Por, informacioni në faqen zyrtare të universitetit tregon të kundërtën. Në lajmërimin zyrtar për ceremoninë, shkruhet se Veliaj ka punuar në një sërë organizatash humanitare si dhe është diplomuar në shkenca politike në vitin 2002.
Universiteti shtetëror Grand Valley është një universitet i vendosur në Michigan dhe i themeluar në vitin 1960. Sot ai numëron më shumë se 25,000 studentë si dhe renditet si një nga 16 universitetet më miqësorë me natyrën, në nivel global. Sipas UsNews, GVSU është momentalisht universiteti i tretë publik më i mirë në Amerikë. Lista e studentëve të diplomuar në të ka dhe një tjetër shqiptare të njohur të qeverisë. Bëhet fjalë për ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, e cila është diplomuar në këtë universitet në vitin 1998. Gjatë ceremonisë, ajo u nderua me çmimin “Studente Alumni e dalluar”.