Ditët e sotme, përherë e më shumë po bëhet e vështirë që njeriu të mbajë gjallë ndjenjën më të bukur që na është dhuruar, dashurinë. Bota është gjithë kohës në një maratonë të çmendur dhe kaq dinamike, sa herë-herë harrojmë çfarë vlen vërtetë.
Të duash dikë aq shumë sa as vdekja të mos të ndajë? Pa përfunduar mirë fjalinë, ne bëjmë atë mimikën tipike, të shoqëruar nga indiferentizmi, dhe e mbyllim me shprehjen klishe: “Ndodh vetëm në filma”. Por në fakt jo, ky çift është shembulli i gjallë i kësaj. Isaac dhe Teresa kanë ndërruar jetë në të njëjtën kohë, 40 minuta njëri pas tjetrit.
Sipas "Telegraph", ata janë larguar nga jeta në krah të njëri-tjetrit në spitalin e Illinoisit. Duke e ditur që gjendja shëndetësore e çiftit ishte shumë e rëndë, stafi i spitalit bëri atë që çifti po kërkonte në heshtje: afruan shtretërit që ata t’i kalonin minutat e fundit të jetës bashkë.
Të martuar prej pothuaj një jete (69 vite së bashku), pranë tyre gjendej e gjithë familja, që i ndihmoi të kapnin duart bashkë. “Nuk doja që të frikësoheshin. Mendoj se fakti që ishin pranë njëri-tjetrin i ka ndihmuar.”-tregoi mbesa e çifti. Ajo që ndërroi jetë e para ishte Teresa, e cila vuante prej kohësh nga Alzheimeri dhe vetëm pas pak, asaj iu bashkua bashkëshorti i saj, për të mos u ndarë kurrë më.