Është java e fundit e muajit por për fat të mirë, ndërsa prisnim rrogën kishim plot lajme për të lexuar dhe për të diskutuar ndërsa pinim kafe me miqtë para se të nxirrnim mbi tavolinë qindarkat e fundit.
Kjo javë kaloi pa e kuptuar fare; ndoshta meritën për këtë e kanë edhe zhvillimet e fundit në botë dhe në vend që i kanë furnizuar mediat me lajme ditë pas dite, orë pas ore. Zëre se kemi dy presidentë të rinj në botë, një kryetar të ri shqiptar të parlamentit në Maqedoni, por edhe show biz-i tani sfidon fort lajmet politike, edhe nëse bëhet fjalë për të ardhmen e njerëzimit.
Të hënën ishte kryetar i LSI-së, sot Ilir Meta u zgjodh presidenti i ri i vendit
Edhe pse pritej, emri i Metës si president doli sa hap e mbyll sytë. Tre raundet për zgjedhjen e presidentit kaluan plot përplasje në parlament, ku mazhoranca hasi rezistencën e opozitës, që nuk donte të përfshihej në proces. Megjithatë, dje Gramoz Ruçi “ua mblodhi” të gjithëve duke deklaruar se nëse presidenti nuk zgjidhej as të premten, do të shpërbënte parlamentin. Dje Meta mblodhi firmat e 21 deputetëve, hodhi kandidaturën, Rama deklaroi në “Top Story” se Meta do të shpallet president me mbështetjen e plotë të PS-së dhe të LSI-së, dhe sot Meta është presidenti i ri i Shqipërisë.
Ndërkaq, bashkëshortja Monika Kryemadhi tregoi se puna është punë e qejfi është qejf
Monika Kryemadhi dhe vajza e vogël, Era Meta, udhëtuan drejt SHBA-ve për të qenë pjesë e dasmës së një të afërmi ku ishte e ftuar gjithashtu Bebe Rexha, dhe bënë kështu një prej lajmeve më të lexuara të muajit. Videot ku Era këndon bashkë me Beben, fotot ku kanë dalë bashkë gjatë dasmës si edhe videot ku Monika dhe Bebe kërcejnë këngët popullore shqiptare në mes të sallës të shtruar me lekë, bënë xhiron e rrjeteve sociale. Bebe dhe Monika kanë lidhje fisnore dhe u bashkuan për të festuar martesën e një kushëriri të përbashkët.
Dje parlamenti i Maqedonisë zgjodhi një kryetar shqiptar: përgjaket kuvendi
Java politike në Maqedoni nisi me pritje derisa të zgjidhej kryetari i ri i kuvendit, që dje për herë të parë pas 16 vitesh zgjodhi një drejtues shqiptar: Talat Xhaferi i BDI-së. Pa marrë as frymë kuvendi u mbush me një numër të madh protestuesish të dhunshëm, që plagosën rëndë disa deputetë të partive shqiptare të Maqedonisë. Policia e pati të vështirë t’i bënte rezistencë turmës, por për të shpëtuar jetën e deputetëve përdori gaz lotsjellës që të hapej një shteg ku ata të mund të kalonin. Sot, Xhaferi fajësoi për këtë sulm presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov.
Franca është më afër se kurrë për të pasur presidentin më të ri ndonjëherë
Emmanuel Macron-i u shpall të hënën favorit për të qenë presidenti i ri i Francës, pas raundit të dytë të votimit. 60% e njerëzve votuan për 39-vjeçarin, i cili përballet me Marine Le Pen-in e partisë së Frontit Kombëtar. Kurse Macron-i, i cili mund të jetë shpejt presidenti më i ri në moshë i Francës, bashkëpunon me një ekip të rinjsh dhe ka një parti të re, themeluar vetëm një vit më parë: Marche!
Brenda vetëm një jave, grave nëpër botë iu shemb ideali për një trup si të Kim Kardashian-it
Sepse çfarëdo ndodh nëpër botë -hiqen e vihen presidentë, plasin protestat- Kim Kardashian do të dalë patjetër në qendër të vëmendjes për arsye nga më të ndryshmet. Këtë javë, fotot e saj pa Photoshop thyen internetin, përsëri. Dhe nuk kishte të mbaruar. Pas fotove të para dolën të dytat, pastaj të tjera dhe interneti nuk ka qenë asnjëherë kaq shumë i mbushur me mllef ndaj celulitit të Kim Kardashian-it, gruas me trupin më të famshëm në botë. A thua njerëzit ia veshin asaj gjithë inatin që kanë kundër politikanëve për luftën në Siri, sulmet terroriste nëpër Evropë, apo thjesht në fund të ditës të gjithëve na intereson më shumë trupi i një gruaje?