Çfarë po ndodh rreth nesh > Bota

Është një garë për president apo një spektakël televiziv?

Francezët zgjedhin nga ‘luanesha e djathtë’ tek ‘bukuroshi i qendrës’.

Ka qenë një nga fushatat presidenciale më të paparashikueshme në jetën politike franceze dhe ka mbetur më pak se një javë nga rezultati që i ka bërë të gjithë kureshtarë. Vetëm disa javë më parë, ishte pothuajse e sigurt që “çmimi” ndahej midis kandidates së Frontit Nacionalist, Marine Le Pen dhe kandidatit të pavarur, Emmanuel Macron. Por, “një gol” i së dielës solli në skenë një tjetër kandidat që duket se po fiton mbështetje me shpejtësi. Bëhet fjalë për kandidatin e së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon!

Por, çfarë ka premtuar secili prej kandidatëve?

Pika e fortë, por edhe e dobët e Le Pen-it, është politika e saj e ashpër ndaj emigrantëve. Të hënën ajo u tha të pranishmëve në arenën Zenith se veprimi i parë që do bënte si presidente ishte të vendoste një ligj që ndalonte hyrjen e emigrantëve në vend.

Turma e mbështetësve ishte euforike teksa Le Pen përmendte gjithashtu planin për ta nxjerrë Francën nga Bashkimi Europian dhe marrëveshja për zonën Shengen. Ajo jo vetëm që nuk e konsideron emigrimin si një mundësi për vendin, por e quan atë “një tragjedi”.

Nga ana tjetër e butë e historisë, është kandidati i pavarur i qendrës Emmanuel Macron. Nëse Macron fiton zgjedhjet, ai do jetë presidenti më i ri që drejton vendin që nga koha e Napoleonit. Ai ka shprehur që në fillim qëndrimin kundër daljes nga BE dhe pro emigrantëve. Sipas tij, kandidatët e tjerë duan ta kthejnë vendin pas në kohë.

39-vjeçari është jo vetëm i përgatitur dhe me sens humori, por gjithashtu mjaft simpatik. Mund të themi shumë mirë që është një version francez i Trudeau. Gjithsesi, pavarësisht këtyre cilësive, kandidatit të pavarur i mungojnë dy gjëra të rëndësishme: eksperienca dhe një parti që ta mbështesë.

Goditja më e fortë kësaj gare i erdhi nga ‘e majta’. Kandidati Jean-Luc Mélenchon ka fituar një mbështetje të jashtëzakonshme javët e fundit nëpërmjet performancës fantastike midis kandidatëve të tjerë. Pavarësisht moshës së tij, Melenchon ka fituar pikërisht mbështetjen e të rinjve nëpërmjet karizmës dhe ndryshimit që francezët e duan aq shumë.

Melenchon synon daljen nga NATO dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por kërkon gjithashtu të rinegociojë kushte me BE-në dhe mbajtjen e një referendumi për t’i pyetur francezët nëse duan të dalin nga Bashkimi Europian.

I fundit dhe më pak i rëndësishmi është kandidati republikan Francois Fillon që e humbi garën pas skandaleve ku u përfshi. 63-vjeçari është nën hetim për shfrytëzim të fondeve publike.

Gjithçka nisi kur kur mediat vendase zbuluan se si gruaja dhe dy fëmijët e tij të rritur ishin paguar rreth 1 milion euro për punën si asistentë në parlament, ndërkohë që nuk kishin punuar asnjë ditë të vetme. Edhe pse i mohoi akuzat, Fillon ‘i ka hyrë’ rrugës së pashmangshme të humbjes.

 

Ergisa Bejkollari
Gazetare

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm