Një djalë nga Uashingtoni ka menduar t’i propozojë të dashurës së tij në mënyrën më të papritur të mundshme. Në kinema, në vend të publicitetit apo trailer-it të filmit, shfaqet një filmim i shkurtër i të dyve që mbyllet me pyetjen ikonë: “A do të martohesh me mua?”
Sa i dashuruar mund të jetë një djalë, sa të mendojë një propozim kaq gjenial? Kjo i ka ndodhur Adrianna Neil, e cila pak para se të festonte 26-vjetorin, pati fatin të përjetonte magjinë e një skene që ngjan me kryeveprat e filmave të Hollywood-it.
Çifti duket se kishte shkuar në kinema për të parë filmin “Beauty and the Beast”, por ajo nuk e dinte se atje e prisnin momentet më emocionuese, të cilat i ëndërron çdo vajzë. I dashuri i saj ishte kujdesur për gjithçka. Ai mendoi t’i propozonte martesë të dashurës nëpërmjet një videoje që në plan të parë ngjante me trailer-in e zakonshëm që jepet para filmit.
Një çast i tillë, sigurisht nuk mund të lihej pa filmuar dhe reagimi i vajzës ka emocionuar të gjithë ata që e kanë parë, duke e shpërndarë menjëherë në internet. Prej 10 vitesh së bashku, ata ndanin të njëjtin pasion për filmin. “Ne të dy jemi të dhënë pas kinematografisë dhe mendova se ky çast do të ishte edhe më emocionus për ne. Duhej patjetër diçka speciale për të.”-është shprehur ai. Duket se ai kishte menduar çdo detaj në bashkëpunim me stafin e kinemasë.
Fillimisht vajza nuk po e kuptonte ç’po ndodhte, më pas, e përlotur puth partnerin e saj. Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën gjestin e djalit, duke e bërë kështu atë çast të pavdekshëm.
Burimi:'Huffington Post'