Manjola Nallbani shprehu sot në rrjetet sociale revoltën karshi mënyrës si shikohen gratë në Shqipëri.
Nisur nga shpallja e Julia Roberts si gruaja më e bukur në botë (lexo këtu), këngëtarja kujton se ajo është 49 vjeç, por nuk vlerësohet për pamjen e jashtme aq sa për meritat si aktore. Nëse do të kishte lindur këtu, shkruan Nallbani, Julia do të gjykohej vetëm për pamjen e jashtme e madje do t’i thonin: “sa mirë mahesh”.
“Julia Roberts 49 vjeç. Për herë të 5-të shpallet “Gruaja më e Bukur në Botë”! Prandaj fati i njeriut paracaktohet që nga vendi ku lind e jeton! Po të kishe lindur këtu o Xhuliiii, në rastin më vlerësues do të thonin: “Sa mirë mahesh!”. “
Nallbani, 48 vjeç, përmendet shpesh si një ndër shqiptaret që “s’e japin moshën”. Ajo mendon se fati më i madh i Julia Roberts-it është se ka lindur në një shoqëri ku gratë nuk vlerësohen nga fytyra e bukur dhe as nga mosha. Ndaj, thotë ajo, në listën e grave më të bukura këtë vit ishte përfshirë edhe 63-vjeçarja Oprah Winfrey.
“Për fatin tënd të madh ti rrethohesh nga njerëz tek të cilët numri është gjëja më pa rëndësi dhe vlera e një femre nuk është thjesht një fytyrë e bukur, as e një 18-vjeçareje e as e një 50-vjeçareje, po çfarë ka arritur në jetë në sajë të punës, talentit, vlerave njerëzore dhe çfarë ndikimi ka pasur tek të tjerët!
Jo më kot mes 50 emrave ishte edhe Oprah Winfrey. Do të kem gjithmonë admirimin më të madh për çdo femër që arrin të bëjë më të mirën e mundshme me jetën e saj.”
Në gusht të vitit që shkoi Manjola Nallbani festoi ditëlindjen, për të cilën u tha se ishte ditëlindja e saj e 50-të. Ajo e qartësoi përmes rrjeteve sociale se nuk mbushi 50, por shtoi se mosha është thjesht një numër për të (shiko këtu).