Menjëherë pas ndarjes jemi plot ndjenja të mikluara: trishtim, mall, lehtësim; të gjitha me kalimin e kohës shpërbëhen dhe fillon t’i ndjesh veçmas. Prandaj na duket se jemi bipolarë pas ndarjes: një ditë e kujtojmë me mall, tjetrën me urrejtje, njëherë themi “shyqyr që nuk jam më me të”, tjetrën do të donim aq shumë ta kishim afër.
Nuk ka një kufi ndarës mes kujtimeve dhe harresës, por me kalimin e kohës zakonet që lidhen me të, sikur zbehen. Po me ju, ka ndodhur? Nëse u përgjigjeni këtyre pyetjeve me “po”, ka shumë gjasa që gjithçka ju lidhte me të, ka marrë me të vërtetë fund.
1. Ishi juaj nuk është më mendimi i parë në mëngjes, apo jo?
Gjëja e parë në mëngjes, e fundit në mbrëmje: pasi ndahesh e mendon ndoshta më intensivisht se kur ishit bashkë. Nuk e kontrollon dot, pavarësisht sa punon me veten tënde që të mos e mbash mendjen aty. Truri është i prirur që, kur nuk ke asgjë të rëndësishme për të bërë apo për të menduar, të thërrasë kujtimet që na trishtojnë.
Por nëse një mëngjes je zgjuar dhe befas vë re se uau, nuk ke menduar fare po fare për të prej kohësh, është një prej shenjave kryesore që e ke harruar.
2. Statusi i tij, a është tashmë i parëndësishëm për ty?
Pas ndarjes mendon shpesh nëse ka apo jo dikë tjetër. Postimet në Facebook, komentet me vajza/djem, fillon t’i shohësh si shenja të një lidhjeje të re. Por edhe kur e mban veten për të mos kontrolluar, prapë e mendon herë pas here: A do të jetë me dikë tjetër tani?
Me kalimin e kohës, thjesht nuk e vret më mendjen për këtë. Postimet e tij në rrjetet sociale janë bërë të parëndësishme për ty dhe ndihesh krenare që tashmë, secili ka jetën e vet dhe mund të marrësh frymë e lirë.
3. Vendet dhe datat që ta kujtojnë, a po kalojnë pa ndonjë domethënie?
Vendi ku u takuat për herë të parë, lokalet që frekuentonit bashkë, përmujori, përvjetori. Të gjitha këto kanë një domethënie të veçantë dhe ndonjëherë, të japin shumë trishtim. Nuk e mendoje se filan vend apo x datë do të të mbetej kaq gjatë në mendje.
Pastaj ai 8 prill (po e zëmë) kur dhatë puthjen e parë bëhet një ditë e zakonshme pune.
4. A ke filluar të ndihesh e tërhequr intelektualisht nga njerëz të tjerë?
Themi intelektualisht sepse ndryshe nga tërheqjet menjëherë pas ndarjes, që janë përgjithësisht fizike sa për të hequr mendjen, pasi e ke harruar dikë fillon t’i shikosh njerëzit me një sy tjetër, më thellësisht, si të dashur të mundshëm. Nis t’i gjykosh për atë që mund të të jepnin po të ishit në një marrëdhënie, a do të ndiheshe mirë për një periudhë më afatgjatë, pra jo sa për të harruar ishin tënd.
Ndonjëherë, pas ndarjes ndodh edhe që tërhiqesh tërësisht nga flirtet dhe njohjet e reja. Sidoqoftë, rikthimi në lojë tregon se je gati ta lësh pas të shkuarën dhe të nisësh jetën e re, që tashmë mund ta jetosh edhe pa të.
5. A janë kujtimet e marrëdhënies më të më të balancuara?
Nëse më në fund mund ta kujtosh marrëdhënien ashtu siç ishte, me të mirat dhe të këqijat, është ndoshta treguesi më i rëndësishëm që për ty bën pjesë në të shkuarën.
Nëse ende mund të kujtosh vetëm njërën anë të monedhës, do të thotë se ke akoma punë për të bërë. E vërteta është se asgjë nuk ndodhi kot, dhe me siguri të dy patët pjesën tuaj. Po të mos kishte edhe gjëra të mira, nuk do të kishit vazhduar bashkë, apo jo?
Burimi: “Elite Daily”