Një pikturë e realizuar nga diktatori gjerman Adolf Hitler do të ekspozohet për publikun deri në 16 nëntor në muzeun e Salos, Itali. Vepra e kuruar nga kritiku italian i artit, Vittorio Sgarbi, është ofruar përkohësisht për muzeun nga një koleksionist gjerman.
Sipas Sgarbi-t, piktura e vogël e realizuar me bojëra vaji, tregon dëshpërim dhe "flet" shumë për gjendjen e tij psikologjike. Sgarbi tregon se në të mund të vësh re mjerimin e Hitler-it në momentin e realizimit të veprës. Piktura e Hitlerit ka tërhequr edhe vëmendjen e psikiatrit italian Paolo Crepet, i cili tha: “Çmenduria e tij lidhet me qenien djallëzore. Korniza e vogël joestetike e përdorur ka kuptim, sepse jostetika e çmendurisë i ndihmon njerëzit të harrojnë dhimbjen e saj.”
Ekspozita e titulluar “Muzeu i çmendurisë: Nga Goya tek Bacon” shfaq 200 vepra që përfshijnë piktura, fotografi, skulptura dhe instalacione të ndryshme. Vepra e Hitlerit është vendosur përkrah asaj të diktatorit italian Mussolini.