Metropolitan > Anabel Gruaja

Pse nuk e kishim njohur më parë Klodeta Buzin?

Drejtuesja introverte që nuk mund të bëjë asgjë më mirë se një biznes edukimi.

Fotot nga Ina Omuri

Përpara kësaj interviste, pak dija për Klodeta Buzin. E njihja vetëm si drejtuesen e „Akademisë Hollywood“ dhe kisha dëgjuar se nuk i pëlqen të japë intervista. Megjithatë pranoi të linim një takim në shkollën ku kalon thuajse gjithë ditën. 

„Akademia Hollywood“ nuk ka pamjen e shkollave tipike shqiptare. Fundja është një shkollë arti, dhe kjo duket në çdo detaj: te klasat me instrumente, librat për muzikën, pamfletet, ca zbukurime të vogla të këndshme. Është ambient shumë familjar, pa ndonjë pompozitet që të fusë të dridhurat sa të hapësh gojën për të kënduar përpara mësueses së kantos.

Gati-gati të vinte keq pse Klodeta zgjedh të mos e nxjerrë shkollën nëpër media, pasi vende të tilla të veçanta, le të themi që nuk i kemi me tepri në Tiranë.

„Diçka që më mban larg medias është se nuk kam dëshirë të punoj me fëmijët e prindërve që duan t’i bëjnë fëmijët e tyre të famshëm. Kjo gati-gati më tmerron, nuk mund të bashkëpunoj me ta. Dua që në shkollën time të vijnë ata fëmijë që e duan artin. Pra, që ata ose prindërit e tyre të vijnë me qëllimin për të marrë një edukim që t’u hapë horizontin.”-shprehet Klodeta për Anabel.al.

Përvoja në shkollat jashtë vendit i ka dhënë shumë si për konceptin mbi artin, ashtu edhe për edukimin muzikor. Atje njerëzit e studiojnë artin sepse e duan, jo domosdoshmërisht për t’u bërë instrumentistë, këngëtarë apo aktorë. Me këtë frymë ajo u kthye në Shqipëri, duke ndërtuar një vend ku arti të mund të ishte më në fund i prekshëm nga më shumë njerëz.

„Kur e hapa Akademinë Hollywood, doja që brenda 5 viteve në Shqipëri të kishte të rinj që pa qenë e nevojshme të mbaronin liceun apo akademinë, të mund të luanin live me grupet e tyre. Së dyti, doja që kurset për muzikën dhe aktrimin të ishin të përballueshme nga të gjithë.“

Dhe kështu ndodhi. Shumë prej nxënësve të „Akademisë Hollywood“ u bënë pjesë e grupeve, eventeve me muzikë live dhe disa janë edhe muzikantë të njohur. Nga ana tjetër, brenda 8 viteve, gjithmonë e më shumë prindër dhe fëmijë po përqafojnë idenë e studimit të artit si një mënyrë për t’u kulturuar që në fëmijëri.

Por një institucion edukimi nuk mund të mbahet në këmbë vetëm me kënaqësi shpirtërore. Në fund të fundit është një sipërmarrje, madje një ndër më të vështirat. Në këtë intervistë për Anabel.al, Klodeta Buzi, drejtuese dhe pedagoge e „Akademisë Hollywood“, na rrëfen se si ia doli të sillte deri këtu një biznes edukimi artistik, pa dalë çdo dy ditë në media.

Daljet e tua në media janë shumë, shumë të rralla. Pse?

Ndoshta sepse nuk di të shes veten në media. Unë nuk di ta reklamoj punën time, e bëjnë më mirë klientët e mi. Një klient mund të flasë për shkollën shumë herë më bukur se unë. Kurse unë e humb, përqëndrohem në detaje të vogla. Nuk jam personi i duhur për ta promovuar shkollën në televizion apo media të tjera.

A ka nxënës që vijnë vetëm sepse ua imponojnë prindërit?

Sigurisht që ka. Por me një si rregull të heshtur, largohen dalëngadalë nga shkolla. Paçka sa e bukur është muzika, siç thotë edhe Schubert: “Kur është e detyruar, është një ndër gjërat më të tmerrshme për ta mësuar”. Kështu që nuk duam të jemi bashkëpunëtorë në imponimin e fëmijës.

Frika më e madhe e regjisorëve dhe kompozitorëve në Hollywood janë ato “tiger moms” (mamatë tigresha). Është fjala për ato nëna që kërkojnë dhe kërkojnë, ndërkohë mësuesi nuk e ka kohën e duhur për t’u falur fëmijëve si njohuri, ashtu edhe kënaqësi artistike.

Si lindi “Akademia Hollywood”?

Unë kam punuar si mësuese pianoje në Zvicër, po ashtu kam punuar në administratën e një universiteti në Los Angeles, ndërkohë jepja edhe mësim. Kuptova që edukimi muzikor më pëlqen jashtëzakonisht shumë, po kështu edhe pjesa administrative. Për një person “arkivist” si unë, kjo ishte gjëja më e bukur që mund të bëja. Hapja e një shkolle ishte si të thuash, i vetmi opsion për mua. Kur erdha në Shqipëri, doja të krijoja diçka që ta afronte muzikën tek të gjithë.

Sepse je artiste, sepse je administratore e mirë apo sepse je natyrë sipërmarrëse?

Jam sipërmarrëse nga natyra dhe jam, si të gjithë muzikantët, shumë e përqendruar tek detajet.

Prandaj erdhe në Shqipëri, sepse atje nuk do ta ndërtoje dot një shkollë?

Jo, ishte për arsye personale. Ideja ishte për ta hapur në Amerikë. Duke qenë se e pata të pamundur të qëndroja atje, erdha dhe e ndërtova këtu.

Pas përvojës jashtë vendit, si e gjete realitetin e edukimit muzikor në Shqipëri?

Vështirësia që kam hasur në Shqipëri që kur kam qenë e vogël, ishte se kurset muzikore ishin për elitën. Përveç Pallatit të Pionerëve dikur, ka qenë shumë e vështirë të hyje në një nga shkollat e muzikës. Nuk mund të nisje të studioje muzikë që 7 vjeç nëse ishe fëmijë i klasës punëtore. Kjo nuk është fare e drejtë, siç nuk është e drejtë për një fëmijë muzikantësh t’i hyjë një kalvari kaq të gjatë vetëm sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Por edhe në kurset private në Tiranë shkonin kryesisht fëmijët e atyre që quheshin elita e kryeqytetit. Mua s’më pëlqente fare kjo. S’më pëlqente sepse ka shumë fëmijë nëpër lagje jo të pasur, siç është kjo, janë shumë të talentuar, inteligjentë, të shkathët, u mungon vetëm pak vlerësim që të motivohen.

Unë duke qenë se vetë dëgjoja shumë rock, u habita kur erdha sepse nuk gjeta asgjë të këtillë. Vazhdon të më habisë sesi të rinjtë nuk janë kreativë dhe nuk kanë njohuri në këtë pjesë. Edukimi muzikor kishte dy kahe: bandat muzikore me të rinjtë që luanin muzikë, kitaristë bateristë etj, dhe kahu i edukimit muzikor që në fëmijëri, që 3 vjeç, siç të thashë më parë.

Çfarë mendon se e dallon „Akademinë Hollywood“ nga shkollat e tjera muzikore apo kurset private?

Me liceun dhe akademinë nuk krahasohemi dot, sepse ato ndjekin një program të caktuar. Sa për kurset private, ndryshimi më i madh është se kjo është një qendër. Këtu ka socializim, bashkëpunim, njeh të tjerë që si ti që e duan muzikën. Pastaj është edhe pjesa e koncerteve, organizimi i tyre është fantastik si proces me nxënësit. Bëjmë edhe aktivitete të tjera, si: party, bouling... Ka shumë gjëra që nuk të lejojnë të bëhesh vetmitar.

Deri tani s’e ke përmendur fare aspektin financiar. Në fund të fundit, ky mbetet një biznes. Kujton momente të vështira, a vijon të jetë një biznes i vështirë? Si është marrëdhënia jote me paranë, si drejtuese e një akademie artistike?

Momentet e vështira kanë qenë në fillim. Për fat jemi muzikantë dhe më shumë studionim sesa jepnim mësim. Kolona zanore e asaj periudhe ishte “Lonely day” e “System of a Down”, sepse ishte një kohë shumë e vetmuar. Kemi pasur momente tejet të vështira.

I kemi kaluar të gjitha: njëherë shkolla u shemb, një herë tjetër u dogj një pjesë e ndërtesës, kemi pasur vjedhje… Mendo që një piano vlen 8 mijë euro. Ndoshta nuk kuptohet, por është një investim shumë i madh.

Ishte një kohë kur në fund të vitit pyesja veten: “Ç’po bëj, a ia vlen e gjithë kjo?” Por, personalisht jam ndier e detyruar karshi studentëve të mi që të vazhdoja të punoja.

Ti jep edhe mësim. E prek nga afër marrëdhënien mësues-nxënës, nuk mbyllesh në zyrën tënde duke bërë llogaritë. Të ndihmon kjo të bësh biznes?

Unë jam shumë e rreptë. Sa jam e mirë në marrëdhënie personale, në marrëdhënie biznesi jam shumë e prerë. Kur flasim për klientë, bën mirë që puna të mos vijë deri tek unë, sepse kam disa rregulla të arta që s’i ndryshoj; e vetmja gjë që mbroj, janë fëmijët dhe punonjësit e mi.

Mendon se bëhet dot biznes me artin?

Është tejmase e vështirë, ma beso. Kam edhe miqtë e mi që kanë shkolla jashtë dhe di të them se, që nga marrëdhënia me klientët dhe deri tek fitimi, atje ka një diferencë të stërmadhe. E vështirë është si për ne, si për fëmijët që duan të bëhen artistë, sepse do ta kenë të vështirë të ardhmen. Nuk është profesion që paguhet. Por më e keqja fare është se muzikantët dhe artistët në Shqipëri konsiderohen si të paaftë për gjëra të tjera. Në fakt, është krejt e kundërta. Nëse krahasojmë një 29-vjeçar që ka studiuar piano që 9 vjeç me një që nuk ka studiuar, e ka shumë më të zhvilluar inteligjencën. Ai mëson përmendësh minuta të tëra muzike dhe dhjetëra mijëra nota, dhe duhet të jetë i aftë t’i luajë gjithmonë me të njëjtin ritëm, me të njëjtin temp. Dhe jo vetëm: vihet përballë emocioneve në skenë, apo thjesht kur luan përpara një profesori. I duhet të punojë me emocionet e veta. Duhet t’u kushtojë vëmendje detajeve: lëvizjes së gishtave, frymëmarrjes e shumë detaje të tjera.

Ndaj kur dikush vjen e të thotë: „Ju muzikantët nuk jeni për asgjë tjetër“, kjo është një mungesë e madhe respekti ndaj një pune të madhe të përditshme. Ky është një prej problemeve më të mëdha që kam në Shqipëri, dhe punoj shumë që muzikantët të mos quhen të paaftë.

Ke një motër që drejton një media, kurse prindërit e tu s’kanë pasur ndonjëherë lidhje me muzikën. Si përfundove në Zvicër, pastaj Los Angeles duke dhënë mësim pianoje?

Nuk „përfundova“ fare.  Prindërit e mi kanë studiar dhe punuar me shkencat ekzakte. E megjithatë, na kanë stimuluar shumë kreativitetin, ndjesinë e lirisë, që të mos kishim frikë të provonim. Ne të dyja kemi qenë nga ata fëmijë që dilnim jashtë dhe bëheshim pis. Kjo të jep lirinë e të eksperimentuarit, të bën të mësosh se nëse rrëzohesh, vritesh.

Kur ishe adoleshente, si e imagjinoje veten në të ardhmen?

Është e çuditshme; kur isha adoleshente ëndërroja të punoja në zyrë dhe vetëm t’i përgjigjesha telefonit. Doja të isha aq e zënë sa të mos kisha kohë nga njëra telefonatë në tjetrën. Kurse tani e urrej telefonin, nuk e jap numrin tim dhe nuk më pëlqen të flas në telefon. S’doja të bëhesha yll roku, doja të punoja në prapaskenë, siç jam tani. Më pëlqente pjesa organizative, por shpeshherë, kur më është dashur të organizoj evente muzikore këtu, më ka stresuar mungesa e përpikërisë me oraret. Po përpiqem të përshtatem. Unë, sepse njerëzit nuk përshtaten.

Kemi organizuar koncerte të mëdha më parë, dhe ndonëse i planifikonim me muaj përpara, deri në detaj; si përfundim të gjitha bëhen javën e fundit. Është e pamundur, sepse sado përpiqesh t’u paraprish, dalin 100 kleçka rrugës dhe detyrohesh t’i thuash vetes: „përshtatu, përshtatu“. Tani me organizimin merret Erda, që unë të mos nervozohem.

Dukesh disi e shkëputur nga marrëdhënia me botën e jashtme. Artistët i përfytyrojmë vetmitarë, introvertë, që gjithë energjinë e japin në skenë. Do të doje ta shikoje veten ashtu, vetëm duke luajtur në koncerte?

Jo, nuk jam brumë koncertesh. Ndihem shumë mirë tek pjesa e edukimit, këtë duhet ta kisha ditur kur isha më e vogël. Të jesh pianiste koncertesh është një stad shumë i lartë. Jam shumë mirë tek organizimi. Në këtë fushë jam në shtëpinë time.

Së afërmi, „Akademia Hollywood“ ka një tjetër koncert ku do të luajnë e interpretojnë nxënësit. Koncertet janë një finalizim?

Koncertet nuk janë finalizim i asgjëje, unë i shikoj si përvoja që nxënësit të mësohen me publikun. Dhe përveç kësaj, dita e koncertit është dita ime e pushimit. Kur ata dalin të këndojnë unë s’kam pse të bëj më asgjë: është detyra e secilit të interpretojë.

Kuptoj, prapë çështje detyrash...

Është e pamundur të jetë ndryshe. Unë vdes për lista, por më është dashur t’i heq. Më pëlqen shumë t’i mbaj të gjitha shënim, të heq vija. Madje edhe kur jam në ato momentet e mia të përtacisë, vajzat e shkollës më thonë: „Po këtë gabim, si e kape?“ Unë për këtë jam e prerë: të gjej gabime ngado.

Në Shqipëri shkollat private artistike pak njihen, duket sikur janë vetëm Liceu Artistik „Jordan Misja“ dhe Akademia e Arteve. Mund të dëgjosh shpesh nxënës të liceut dhe akademisë të ankohen se dijen që marrin nuk janë të thelluara, se mbeten vetëm tek klasikja, se profesorët janë mediokër... Përshtypja ime është se të njëjtët pedagogë, po të vinin në një shkollë private, do të jepnin mësim shumë ndryshe...

E para, studentët e liceut të mos ankohen, se pedagogët i kanë shumë të mirë. Mund të mësojnë shumë, por varet sa duan. E dyta, ka edhe pedagogë mediokër, kam pasur edhe unë në Zvicër, por nuk kam munguar asnjëherë në mësim dhe kam marrë atë që më është dashur. E treta, habia më e madhe në këtë vend, është se ne kemi gjithmonë vend për pedagogë të rinj dhe të rinjtë nuk aplikojnë. Ka gjithmonë nevojë për pedagogë këtu, duke qenë se ka prurje nxënësish. Por edhe kur aplikojnë, na dërgojnë CV qesharake, plot gabime drejtshkrimi. Madje, mbaj mend që na kanë dërguar edhe screenshot-in e CV-së.  Kjo s’ka ku të rrijë: kur vlerësimi që ke për veten dhe për mua nuk mjafton aq sa për një CV të denjë, si mund të të besoj edukimin e fëmijës tim?

Është e shëmtuar të dëgjosh „ne nuk mësojmë në shkollë“. Edhe jashtë ka pedagogë të zotë, ashtu si edhe jo edhe aq të zotë. Detyra jote si student është të përfitosh sa më shumë, pa u ankuar. Nuk më pëlqejnë njerëzit që ankohen. Edhe vetë jam ankuar dikur, por mendoj se përfundimisht, kush ankohet, ka kohë të lirë të çuar dëm. Nëse nuk mund të gjesh një zgjidhje, është krejt kot të ankohesh.

Është rritur biznesi?

Po. Kemi pasur ulje dhe ngritje, por tani them se jemi në një rrugë të mirë. Është e çuditshme, sepse tani janë hapur më shumë shkolla artistike, kemi pasur prurjet më të mëdha. Aq sa ka periudha kur detyrohemi t’i fusim nxënësit në lista pritje për një instrument të caktuar apo për një mësues.

Si ia dolët?

Me punë, vetëm me punë.

Kryesorja ku ke këmbëngulur gjatë gjithë kësaj kohe në biznes, çfarë ka qenë?

Marrëdhëniet njerëzore, brenda stafit dhe mes mësuesve dhe nxënësve. Kjo ka qenë më kryesorja.

Po marrëdhënia jote me mësuesit e Akademisë, me vajzat e administratës, si është? Si je ti si shefe?

Në fillim e pata shumë të vështirë sepse nuk e dija ç’do të thotë të drejtosh. Nuk kam qenë shefe e mirë. Isha 27 vjeç: e merr me shumë entuziazmin e mësuesit, por nga ana tjetër të duhet të menaxhosh një biznes dhe ka aq shumë gjëra për të bërë. Unë jam introverte dhe më duhej të dilja nga vetja; bërtisja më shumë, ndonjëherë edhe më është dashur t’i kërkoj falje stafit. Kishim konflikte për mënyrën si ata punonin dhe si doja unë që ata të punonin. Shumë detaje na kanë shpëtuar. Për këto kam bërtitur më shumë: detajet dhe oraret. Por na kanë shpëtuar, dhe këto na kanë lënë këtu ku jemi. Tani si shefe jam e mirë. Dukem tolerante, por të gjithë e dinë se shikoj dhe dëgjoj shumë. Mundohem të kuptoj secilin prej stafit.

Keni konflikte?

Jo. Kemi pasur njerëz që, për fat të keq, kanë prishur marrëdhëniet me ne, por jo. Mes nesh nuk kemi konflikte. Fare, fare!

E në fakt, dukeni të ngjashme...

S’i ke parë edhe të tjerat. Ne na bashkojnë të njëjtat dëshira: dëshira për të dhënë mësim dhe për një jetë më të mirë ekonomike.

Erda Kaçeli, pedagoge pianoje dhe pjesë e administratës së "Akademisë Hollywood"

Ishte e vështirë të gjeje njerëz që të punonin ashtu siç do ti? Më fol pak për fillimet.

Fillimet kanë qenë të lehta, sepse kisha pak njerëz dhe i kisha përzgjedhur edhe me ndihmën e atyre që e dinin kush vlen. Pastaj kuptova që ishin të vetmit. Gjetja e stafit është shumë e vështirë. Duhet ta mendosh si për një motër të vogël, për të cilën do që ajo të ndihet mirë me veten në kursin e muzikës. Dhe unë nuk dua të bëj rolin e atij që hyn në klasë dhe ruan orën e mësimit. Përgjithësisht pyes nxënësit se si po shkojnë mësimet.

Si është një ditë e jotja?

Eh, e vështirë kjo pyetje. Kam ndryshuar krejt stilin e jetesës dhe nuk më pëlqen! Zgjohem në mëngjes, në orën 9 kam orën e sudokut. Pastaj çdo ditë lexoj minimalisht një orë për atë çfarë po ndodh nëpër botë me muzikën dhe me edukimin muzikor. Kam disa faqe që i ndjek dhe i studioj, që nga neurologjia e muzikantit tek gjëra të tjera.  Bëhem gati dhe rreth orës 12 vij në punë. Punët administrative i bëj në shtëpi. Këtu përqëndrohem përgjithësisht tek dhënia e mësimit dhe punët teknike, deri rreth orës 8-8 e 30. Mbrëmjen më pëlqen ta kaloj në shtëpi, të shikoj filma, të lexoj dhe kuptohet, të rri në Facebook. Dita ime rrotullohet rreth punës. Kam orare fikse; mund të iki ndonjë orë përpara nga puna, por kjo ndodh kur vij përpara. Por vetëm deri në 8 orë mund të punoj, më shumë nuk duroj dot.

Të lodh puna?

Ndonjëherë më lodhin zhurmat e shkollës, por shumicën e kohës jo, aspak. Kam edhe këtë dhomën këtu ku rri zakonisht.

Gjen kohë të argëtohesh, të bësh aktivitet sportiv, të shkëputesh?

Ky vit ka qenë plot me punë, sepse kemi pasur shumë nxënës. Por kur kam kohë, udhëtoj. I adhuroj udhëtimet. I kam shkurtuar për arsye buxheti, por gjatë këtyre 8 viteve kam udhëtuar pothuajse çdo verë. 1 herë në vit shkoj në Los Angeles, kam miq atje, shkoj në Evropë dhe gjithashtu, herë pas here shkoj në Përmet. Dy tri herë në vit shkoj patjetër në Përmet. Aktivitetin sportiv nuk kam mundur ta nis. Dita ime është vetëm punë, punë, punë. Kurse fundjavave ose shijoj qetësinë e shtëpisë dy ditë rresht, ose lë shtëpinë për dy ditë, varet. Jam në dy skajet: ose dua të rri vetëm, ose dua vetëm të dal.

Si do që të jetë Akademia Hollywood në vitet në vijim?

Dëshira ime është të kemi më shumë pika, në zona të tjera të Tiranës dhe në rrethe. Kaq kërkoj.

E ke menduar ndonjëherë të kthehesh jashtë?

E mendoj gjithmonë. Pothuajse çdo ditë më kalon nëpër mend se si do të ishte po të mos isha këtu.

Të njëjtën gjë do të bëje edhe atje?

Ndoshta të kem një shkollë timen, ndoshta të jap mësim në universitet, të punoj në edukim.

S’të vjen keq ta lësh gjithë këtë?

Eh, pikërisht! Nuk mund të shkëputesh, mua më duket e vështirë shkëputja. Kam lidhje emocionale. Një rrogë jashtë barazohet me gjithë fitimet që mund të kesh këtu, por kur shoh se që kur erdhi „Akademia Hollywood“ në Tiranë kanë ndryshuar shumë gjëra, mendoj se tetë vjet janë shumë pak për të krijuar stabilitet.

The se je introverte. A është e vështirë të bësh biznes, duke qenë natyrë introverte?

Librat i pe. Unë e kam pasion të studioj, të lexoj. Biznesi i edukimit është perfekt për njerëz si unë. Përgatitja që duhet të bëj për punën është të lexoj. Pastaj shifrat janë shifra, bën një tabelë, punon, vlerëson. Unë nuk mërzitem kurrë me shkollën. Të jetë për mua, u kthehem prapë studimeve. Një qendër edukimi është gjëja më e përshtatshme për mua. Asgjë s’do të më shkonte më shumë.

Si ka qenë Klodeta e vogël?

Atëherë isha Klodi. Si mami, ashtu edhe babai im, kanë pasur bizneset e tyre private. Kanë qenë shumë, jashtëzakonisht punëtorë. Më bënë të kuptoja se puna është pjesë organike e jetës, ashtu si loja. Ëndërroja që të kisha një shtëpi me të gjitha instrumentet muzikore.

Cilët instrumente ke në shtëpi?

I kam këtu: kjo është shtëpia ime. Kjo është adresa që jap, dhe vendi ku ndihem më mirë nga kudo tjetër.

Çfarë do t’u thoje muzikantëve dhe pedagogëve të rinj?

Do të doja të kishte një shprehje të përshtatshme në shqip për frazën e amerikanëve: „stay humble“. Nuk është të jesh i përulur, por të mos ngresh krye, të punosh dhe të dëgjosh. Për mua ky është çelësi i suksesit për cilëndo punë të botës. Gjithashtu, ta kesh të qartë se ç’do të bësh me veten për 5 apo 10 vjet. Bëj një plan, qëndro kokulur, dhe puno, mëso dhe dëgjo.

Genta Hodo
Gazetare
Ina Omuri
Fotografe

Artikuj të ngjashëm

. .