Beauty > Parfume

E dini çfarë arome mbajnë princërit dhe aristokratët? E zbuluam në Tiranë

 

“Parfumi tregon më shumë për gruan, sesa shkrimi i saj i dorës.”-ka thënë dikur Christian Dior. Por pyetja jonë është: “Çfarë mund të tregojë një parfum për ty, nëse të njëjtin ka edhe shoqja jote, vajza që është ulur në të njëjtin stol ku je edhe ti në stacionin e autobuzit, apo ish-i i atij që dashuron?

Parfumi, më shumë sesa një ndarje e rëndomtë mes romantikëve dhe pragmatistëve, mes të ëmblave dhe të athtave, mes të lindurve në verë apo në dimër, është një rrëfim për veten, përbën një histori, kthehet në një kujtim, bëhet identifikues me atë që je, me ato që vesh, me ato çfarë thua dhe me atë që ti zgjedh të prezantohesh tek të tjerët.

Ndaj kërkimi për aromën që të përfaqëson është më i thellë se një ndalesë e shpejtë në aeroport, e nxitur nga sprucimi i beftë i vajzave që të presin me testera në dorë.

 

Në zemër të Bllokut, përballë ish-vilës së diktatorit Hoxha, ndodhet një butik luksoz, i quajtur “Richmond Luxury Boutique”. Brenda butikut, përballë derës kryesore, në një kënd, është një raft ku janë vendosur vetëm tri lloje parfumesh.

Ashtu si brandet e tjera në këtë butik, të preferuara aristokratësh, princërish e njerëzish të lexuar e të informuar për modën e lartë, ashtu edhe këto parfume, nuk i përkasin kujtdo dhe nuk mund të mbahen nga kushdo.

Emri i njërës linjë parfumesh lidhet me sartorin më të lartë italian, tjetra linjë lidhet me një princeshë franceze dhe parfumet në raftin e poshtëm, e nisin historinë nga një diamant misterioz në Shën Petersburg.

Këto nuk janë parfume për masën, këto janë parfume për individin dhe ne po ju zbulojmë historinë pas këtyre emrave të mëdhenj.

Princess Marina de Bourbon

 

Kur princesha franceze Marina de Bourbon, krijoi parfumin e saj të parë në 1994, përfshiu aty një eksperiencë jetësore mes shoqërisë së lartë pariziene, elegancës së trashëguar nga brezi në brez në familjen mbretërore të bashkëshortit të saj; kujtime si dasma në një kishë të pikturuar nga Cocteau, me një fustan të bardhë, të dizenjuar enkas për të nga Guy Laroche; dashurinë për impresionistët si Monet, poetët si Baudelaire, muzikantët si Reinhardt; punën e saj në butikun luksoz pranë St.Germain Du Pres, udhëtimet me vjehrrën, princeshën Margaritë të Danimarkës, dashurinë e pashtershme për të shoqin dhe tre fëmijët dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj grave të forta, me identitet dhe unike në llojin e tyre.

Parfumet “Princess Marina de Bourbon” i kanë të gjithë këto përbërës, por edhe më shumë; këto aroma kanë brenda shpirtin e një gruaje të jashtëzakonshme, të mençur, elegante, por njëkohësisht të thjeshtë dhe influencuese.

Ndaj “Princess Marina de Bourbon” nuk u tregtua kurrë si një linjë e zakonshme, nuk e gjen në asnjë aeroport, parfumet nuk kanë asnjë gjurmë kimikatesh, por mbi lëkurën tënde, ato përhapin aromën e kopshteve të Versajës, ëmbëlsinë e pasditeve buzë Sienës dhe freskinë e një mbrëmjeje mbi jaht në San Tropez. 

 

Anabel sugjeron:

Provoni L’Or de Marina, një fragrancë delikate që përkufizon feminilitetin. Si një bizhu e çmuar, ky parfum përshfaq elegancën e një gruaje të rafinuar, të butë dhe modeste nga njëra anë, e fortë dhe pasionante në anën tjetër. Sapo e vendos në lëkurë, ndjen shpërthimin e aromës së vjollcës, me pak prekje Jasmine, përzier me freskinë e trëndafilave dhe ëmbëlsinë e convalaria-s.

 

 Korloff: Një diamant në lëkurën tuaj

 

Përpara se t’i prezantonte botës parfumet e tij, marka franceze Korloff, u njoh fillimisht për dizajnet e jashtëzakonshme në krijimin e bizhuve të çmuara.  Historia e emrit ka nisur nga një familje artistokrate e Shën Petersburgut, Korloff Sapojnikoff, e cila kishte në pronësi një prej diamanteve më enigmatike të botës, një gur të rrallë 88 karatë. Legjenda tregon se ky lloj diamanti i sjell mbarësi, lumturi dhe pasuri kujtdo që e prek.

I frymëzuar nga kjo histori, argjendari Daniel Paillasseur i vuri emrin kompanisë së tij të krijuar në vitin 1978. Në 1993, “Korloff” krijoi linjën e parfumeve, aroma e të cilave përfaqëson të njëjtën filozofi si linja kryesore e bizhuterive: “Të pakoha, unike, të magjishme.” Edhe vetë dizenjo e kapakëve të shisheve të kujton prerjen më të famshme të diamanteve.

Emrat e parfumëve si “Un Soir a Paris (Një mbrëmje në Paris), apo “Take me to the moon”, të transportojnë në një botë paralele romance dhe fantazie.

Anabel sugjeron:

Provoni “In Love” nga Korloff.  Një deklaratë dashurie për gruan më mahnitëse, atë që mbërthen zemrën dhe admirimin e çdo burri. Një parfum luksoz, aroma e të cilit lë pas një turbullim ndjesish erotike dhe sensuale.

 

 

Stefano Ricci: Për atë që i ka të gjitha

 

Ka marka që të gjithë i njohin, por ka disa që vetëm ata më të mirëinformuarit, anëtarët e shoqërisë së lartë, aristokracia e vjetër, e dinë që ekzistojnë. Stefano Ricci është një prej këtyre markave. Sartori italian e krijoi me këtë filozofi markën e tij në 1972-shin dhe vazhdon ta mbrojë, sepse veshjet që ai dizenjon për burra, janë përgjigja e perfeksionit, duke nisur nga materialet më të mira dhe më të lehta që ekzistojnë në botë, deri tek qepja, ku i kushtohet vëmendje edhe detajit më të vogël.

Prej 45 vjetësh, Stefano Ricci ka veshur disa prej burrave më të pushtetshëm e më të pasur të botës si: Muhammad Ali e Nelson Mandela, të cilëve u lexohet mirëqënia dhe shija në materialin dhe dizenjon dhe jo në ndonjë logo të dukshme.

Stefano Ricci ka kërkuar gjithmonë të veshë burrin që i ka të gjitha dhe ka arritur në atë pikë, sa tashmë vlerëson materialet e rralla dhe të çmuara, detaje të sofistikuara, printe ekskluzive dhe ngjyra të pazakonta, vlerëson një stil klasik, por ndryshe nga të tjerë përreth.

Kjo filozofi për linjën e tij kryesore, implementohet nga Stefano Ricci edhe tek parfumet.  Burrat që përdorin parfumet e Stefano Rici-t, nuk janë të zakonshëm. Ata janë dinamikë, të suksesshëm, kanë pushtet dhe një shije të rafinuar. Aroma e Ricci-t është e paharrueshme, ashtu si edhe prezenca e tyre mbizotëruese si në intimitet, ashtu edhe në një turmë mes mijëra njerëzish. 

 

Anabel sugjeron:

Stefano Ricci “Royal Eagle Sport”

Kur e provuam, u dashuruam menjëherë me imazhin e burrit që mund ta përdorte këtë parfum. Përfytyruam një mashkull energjik, të pashëm, të sigurt në vete, i cili e nis ditën herët dhe në darkë vonë, kur i hidhesh në qafë me mall, ende ndjen aromën e freskët të myshkut të bardhë, butësinë e jasminës e çajit jeshil, me pak ngacmime të mandarinës dhe grejpfrutit.  Kjo është një aromë që të bën ta kërkosh sërish, një aromë që siç gjithë parfumet e tjera të Stefano Riçi-t, nuk zhduket me kalimin e orëve dhe as pas një dushi, por qëndron në lëkurë për disa ditë, si një kujtim i ëmbël dashurie.

Të treja këto parfume dhe të tjera nga këto marka prestigjioze do t'i gjeni në "Richmond Luxury Boutique", rruga "Ibrahim Rugova", ish-Bllok, Tiranë

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .