Elia Zaharia do të jetë pjesë e një shfaqjeje komedi në Teatrin Kombëtar.
Më shumë se një vit pas shfaqjes “Tri motrat” të Anton Çehovit, Elia njoftoi në Instagram shfaqjen më të re komedi të vënë në skenë nga Spiro Duni.
“Pushteti i grave”, një prej komedive më të njohura të Aristofanit, do të rikthejë në skenë “tri motrat”: Flaura Kureta, Elia Zaharia dhe Gladiola Harizaj. Të tria ishin në role protagoniste në komedinë "Tri motrat", e shfaqur në Teatrin Kombëtar në janar të 2016-ës.
Ato do të interpretojnë krahas disa prej emrave të njohur të skenës shqiptare: Naun Shundi, Rajmonda Bulku, Laert Vasili, Niada Saliasi, Helidon Fino, Ardian Cerga, Klodian Hoxha, Gjergj Mena, Dori Çaushi, Luljeta Hoxha dhe Julinda Emiri.
“Miq të teatrit, me shumë kënaqësi do të rikthehem me koleget dhe mikeshat e mia Flaura Kureta dhe Ola Harizaj, e shumë të tjerë në produksionin e ardhshëm të Teatrit Kombëtar. "Pushteti i Grave" do t'ju mirëpresë së shpejti, një komedi brilante frymëzuar nga vepra e Aristofanit, sjellë nga regjisori Spiro Duni. Motrat dramatike të Çehovit këtë herë do t'ju rrëmbejnë në situata komike pa fund.”, shkruan Elia në Instagram.
Muzika i është besuar Elina Dunit, që do të shoqërohet nga një grup instrumentistësh dhe balerinësh të vlerësuar.