Relationships > Zona ime nga Balina Bodinaku

Në kohërat e kolerës

Ditari (jo) i zakonshëm i një vajze të re, të suksesshme dhe shumë të sinqertë!

Nga Balina Bodinaku ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

Sipas meje, këto nuk janë kohë të mira për të dashuruar. E kur kanë qenë?!

“Aaauuuu…!”-  pasthirrma e detyroi  estetisten të ndërpriste një çast atë që kishte gjysmë orë që tregonte gjithë pasion. As që e kishte kuptuar fare që s’ kisha dëgjuar një fjalë të vetme nga ato që po thoshte deri atëherë. (Ndoshta diçka në fillim edhe e kisha dëgjuar. Diçka që kishte të bënte me një djalë që kishte njohur. Nejse)

Të gjitha historitë e dashurisë fillojnë njëlloj. Rrjedhin ndryshëm. Dhe kanë një fund: të lumtur, ose të trishtuar, por gjithësesi FUND. Kështu që duam s’duam ne, me kaq do englendisemi… me ato ngjarjet që ndodhin mes fillimit e fundit.  Ato ngjarjet që i bëjnë historitë të ndryshme, ose kaq të ngjashme që më mirë s’i dëgjon fare. Prandaj e kap shumë herë veten duke menduar së këto nuk janë kohë aspak të mira për të dashuruar.

E kur kanë qenë?

 Mos ka qenë më e lehtë atëhere kur për të mbajtur gjallë zjarrin e pasionit  duhej të prisje letrat që donin një jetë të mbërrinin? Apo mos është sot, kur me celular mundet edhe që të ngjelesh shtatzanë. (kjo ndoshta nuk ka ndodhur ende, por e sigurt që do të ndodhë dikur).  Mos ishte më mirë atëherë kur besohej tek fjala e bukur? Apo sot, kur besimi është thjesht një fjalë e bukur.  Atëherë kur njohja sillte dëshirën, apo sot, kur dëshira s’e ka të nevojshme njohjen? Atëherë kur  mjaftonte aq pak sa një fishkëllime poshtë ballkonit për të lulëzuar ëndërrat më të bukura? Apo sot, kur zilja që sinjalizon mbërritjen e një mesazhi të del në ëndërr si  makth?

Një sekondë, se mora si për kot e mund të keqkuptohem.

Unë besoj te dashuria.  Edhe sot . Dhe sado lot shoqesh (apo dhe të miat) të fshij, do jem gjithmonë e tunduar ta provoj dhe një herë. Edhe kur të dëgjoj nga shokët e mi se sa e lehtë është sot të tradhëtohet, unë do zihem me ta për kuptimin e fjalës tradhëti … (Dhe jo, besnikëria në raport, nuk ka të bëjë aspak me kufizimin e lirisë personale, por me ushtrimin e saj…. Dhe fjalë si “besnikëri”, “tradhëti”, “dashuri”, kanë edhe sot të njejtin kuptim që kanë pasur gjithmonë, e nuk ka asnjë arsye të mos përdoren më. )

Po thoja…  Dhe kur ajo shoqja të më tregojë se sa është tronditur kur ka lexuar te celulari i të dashurit këmbënguljen vulgare të asaj tipes që vazhdon të informojë me sms për ngjyrën e të brendshmeve që ka veshur…do t’u kundërvihem shoqeve të tjera kur ato ta instruktojnë të mos e prishë lidhjen për një “kurvë”.  Nuk do ta pranoj kurrë teorinë “është më mirë të mos dish gjë”. Është e dhimbshme, ofenduese, poshtëruese të hiqesh sikur nuk kupton.  Do jap dhe nuk do kënaqem me asgjë më pak se dashuria, sepse besoj se ajo ekziston, edhe sot. Është një gjë që ndoshta nuk do ta kuptojmë ndonjëherë, por e sigurt që është një gjë që të bën shumë mirë, të bën të bukur, të bën të guximshëm, të bën të lumtur. Dashuria nuk mund të jetë e keqe. As e gabuar. Njerëzit janë të tillë. Ne gabojmë kur ngatërrojmë njeriun me dashurinë. Kështu pra, e rëndësishme është të mos bësh kompromise me atë që do. E mbi të gjitha e  rëndësishme është të besosh te dashuria dhe ta presësh atë me besim. Nëse beson, ekziston! Ja kështu!

Një shembull të gjallë të kësaj, e kisha mu përballë duke më masazhuar shputat e këmbëve dhe duke më treguar se si njohja e re e kishte shkëputur krejtësisht nga hidhërimet e zhgënjimet  pesë vjeçare të lidhjes që kish lënë pas. Ai ishte i pashëm, me një punë të mirë.. Kishte vendosur të linte qytetin e tij të lindjes e të blinte një shtëpi në Tiranë për të qenë pranë saj. I kishte kërkuar të jetonin bashkë. Madje kishte shprehur dëshirën të njihej dhe me familjen e saj. Ajo dukej e lumtur. Kishte besuar te dashuria dhe ja ku ishte më e dashuruar se kurrë.

M’u bë shumë qejfi  dhe… u tmerrova për të…

I pashëm? Me lekë? Me shtëpi? Gati për bashkëjetesë në pak muaj njohje??!!!

Ka diçka që nuk shkon këtu, se s’ka mundësi.

(Pse ku jeton kjo?! Në rreshtat e asaj përrrallës ku mjafton ta shohësh në ëndërr princin e kaltër dhe të nesërmen ke filluar “të jetosh e lumtur me të një herë e përgjithmonë? Apo në versionin modern hollivudian, ku “princi” në vend të kalit, ka një goxha makinë e në vend të shpatës tund në ajër një çadër, ndërkohë që vrapon shkallëve drejt teje… E kush beson në këto gjëra sot, aman?! Une jo një herë!)

Po estetistja ime, duket vërtet dhe sinqerisht e lumtur. Ajo vazhdon të më tregojë për rastësinë që i takoi, për dashurinë me shikim të parë (fiks si nëpër filma), për shtëpitë që po shohin për të blerë, për motrën dhe mamanë e tij që i kishte takuar për darkë para dy javësh, për propozimin për martesë…

(Kjo është tepër! Këtu ka vërtet diçka që s’shkon. )

“Moj ke bere seks me këtë ti? E sigurt që është në rregull me të gjitha ai?”

Nuk e di në më shpëtoi  dhe e pyeta me zë të lartë, apo ajo thjesht ngriu nga fytyra që mund të kem bërë unë në atë moment, po për nja 30 sekonda të dyja u pamë në sy, si në ato skenat e dueleve të filmave western.

Po e kapa veten shpejt.

Mora frymë thellë dhe mendova: Ti beson Balina. Kujtohu! Ti beson. Çfarë po thoje deri tani? OOOOMMMM… Merr frymë thellë dhe përsërit!  Unë besoj… Unë besoj…Unë besoj te dashuria…

Veçse, nuk kam faj, këto janë vërtet kohë të vështira për të dashuruar.

(E kur s’kanë qenë…?!)

Artikuj të ngjashëm