Sot, në statusin e kryeministrit, intervistat me Edi Ramën trajtojnë vetëm çështje politike dhe rrallë i afrohen jetës së tij private. Por 22 vite më parë, kur përfshirja në politikë nuk dukej fare në aspiratat e tij, Edi Rama ka zhvilluar një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, e cila është ribotuar rishtazi në portalin “Dritare.net”.
Në intervistën e 28 majit të vititi 1994, Edi Rama rrëfehet fare nartyrshëm për atë që ai e quan “një luftë” me babanë, pasi pyetet nga Xhunga sesi kishte ndikuar tek ai fakti që ishte një fëmijë arti.
“Pozitivisht, duke më dhënë mua mundësi që të tjerët s’i patën, mundësi për t’u vetëzbuluar në fushën që kam. Më ka kultivuar gjithashtu instiktin e rebelimit ndaj babait. Kombinimi i këtyre të dyjave më ka ndihmuar që potencialisht të kem disa avantazhe.”
I pyetur gjithashtu për reagimin e të atit për momentin kur e pa me vath në vesh, Rama përgjigjet: “Ishte vonë. Lufta midis nesh kish kohë që pat përfunduar dhe ai ishte i përgatitur. Ndërsa tani, jo vetëm është i përgatitur, por edhe mi respekton zgjedhjet. Pas luftës së gjatë që kemi bërë bashkë, jemi miq të mirë.”
Në rrëfimin e tij për gazetaren, Edi Rama flet gjithashtu edhe për marrëdhënien e tij me dashurinë. Ai shprehet se tipari që ia ndjen më shumë mungesën është aftësia për të sakrifikuar ndërsa ai që vlerëson më shumë tek vetja, është aftësia për të dhënë shumë dashuri.
“Për mua sakrifica është çështje pasioni. Sakrifikoj për dikë apo diçka vetëm kur jam i pasionuar. Në të kundërt jo. Kjo tregon se nuk sakrifikoj për tjetrin, për hir të dashurisë që kam për veten. Ky është një defekt që s’është vetëm i imi.”-shprehet ai. Më tej, Rama thekson se nuk është maskilist dhe se e mundon shumë mungesa e femrës në jetën shoqërore shqiptare duke shtuar: “Nëse mua do të më kërkohej ndonjë formulë për të lehtësuar jetën publike këtu, do të propozoja një qeveri me mazhorancë femrash, ku presidenti dhe kryeministri do qenë femra.”
Mendësi kjo që Rama e ka ruajtur deri diku, duke qenë i pari kryeministër shqiptar që ndërtoi një kabinet i cili ka më shumë gra se burra: Plot 10 gra ministre.
Ndërsa përsa i përket marrëdhënies meshkuj-femra në Shqipëri, kryeministri i tanishëm shprehet se e sheh si primitive.
“Raporti me dashurinë këtu është primitiv. Është raport prone, qoftë burri me gruan, qoftë babai me vajzën. Babai është mishërimi i një fryme intolerance me një xhelozi patologjike, e rrjedhimisht kështu është burri me gruan. Por, nëse me njeriun e dashur me të cilin ndan gjithçka, nuk arrin të krijosh hapësirë tolerance, nuk mund të pretendosh se i ke dhënë atij shumë dashuri, apo i ke marrë të njëtën. Unë vetë s’di sa do toleroja ftohtësinë e një raporti paralel dashurie, por flirtet e njeriut që do, janë normale. Sepse janë gjëra që i bën vetë, ndaj duhet t’ia tolerosh dhe tjetrit. Nuk mund të pretendosh për një shoqëri të hapur, kur raportet me dashurinë janë primitive.”
Në intervistë, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai flet edhe për marrëdhënien e tij të përfunduar me bashkëshorten e tij të parë. I pyetur për atë që ai mendonte për ndarjen, Rama, i cili prej tre vitesh i kishte dhënë fund martesës me aktoren Matilda Makoçi, shprehet: “Për mua raporti me një femër është total, sa fizik dhe shpirtëror. Momenti i ndarjes është momenti kur ky totalitet shpërbëhet. Bashkëudhëton me dikë për sa kohë që ky është shumë i rëndësishëm për ty dhe mund të të japë atë që nuk ta jep kush tjetër. Por, kur ai të ofron gjëra që dhe të tjerët t’i ofrojnë, atëherë bashkëudhëtimi humbet kuptimin, ndaj, më mirë një kuptim i bukur.”
Rama gjithashtu shprehet se ndonëse e sheh si një institucion serioz martesën, mendon se janë të paktë njerëzit që e respektojnë atë pa gënjyer dhe pa aktruar, ndaj, siç thotë më tej, e sheh bashkëjetesën si mënyrën e vetme për të ndarë jetën me dikë.
Dhe në fund të intervistës, kryeministri i tanishëm tregon për një pasion që duket se janë të paktë ata që ia njohin: Gatimin.
“Një nga mënyrat për t’i dhënë dashuri një njeriu është të gatuaj për të. E bëj me pasion dhe dëshirë. Ndërsa kur dua t’i jap një provë afeksioni, afërsie dhe përkujdesje e ftoj e i gatuaj peshk.”-shprehet ai. Intervista e plotë (lexo këtu).