Metropolitan > Kinema & TV

Si shef Titi u bë kuzhinieri më i famshëm shqiptar në Facebook

Ai është kthyer në kuzhinierin e preferuar të shqiptarëve.

Në rast se keni ndjekur videot e "Çmendina Dublim" në You Tube, do e keni parë me siguri rubrikën “Ça do hamë?” Që nga fillimi i saj, shumë shefa janë ndërruar, megjithatë asnjë s’e ka patur magjinë e shef Titit. Pasi e ndoqëm me vëmendje, kuptuam që ka disa karakteristika unike tek Titi, të cilat shefat e tjerë nuk i kanë.

Ndonëse në gatimet e shef Titit ka gjithmonë një gjë që nuk shkon siç duhet, ai nuk shqetësohet. Për Titin rëndësi ka eksperienca, pa keku le të digjet në fund. Natyra pozitive dhe plot humor e shefit na bën të mendojmë se të gjithë mund të gatuajmë.

Herën e parë, Titi na mësoi të bënim krepa me “çokokrem” ose ashtu siç ai e quan, “krepa me natella”. Na mësoi gjithashtu që masat mund të thuhen dhe me lekë, për shembull: 100 lekë gjalpë ose 400 lekë vezë. Në fund të gatimit, kur krepat s’dalin ashtu siç e prisnit, mos u mërzisni. Shef Titi thotë që “e para gjithmonë del keq”. Megjithëse, me thënë të drejtën, Titit dhe shëndetlija që bëri në episodin e  4-t nuk është se i doli dhe aq mirë!

Gjatë këtyre episodeve, kemi kuptuar që gatimet e preferuara të shef Titit janë padyshim ëmbëlsirat. Nga krepat, ai kaloi tek keku, ndërsa njëherë sfidoi dhe mastershefat botërorë kur na tregoi sesi të bënim biskota dyqani të regjura me ujë e sheqer. Njëherë tjetër, shefi tejkaloi vërtet veten! Ai tentoi të na mësonte si të bënim makarona me ngjala, të cilat nuk arriti t’i gatuante dot terësisht. Por, që sërish, mund të hahen nëse shoqërohen me humorin e shefit.

Është e qartë    që shef Titi është fjalë pakë pasi shumë shpesh ai nuk i mbaron fjalitë. Ndonjëherë  harron edhe çfarë donte të thoshte. Një ndihmë e madhe për të janë prezantueset e reja, të cilat arrijnë t’i mbajnë ritmin dhe ta shoqërojnë në batutat që bën.

Tashmë ai është kthyer në një nga personazhet e preferuara të rrjeteve sociale! Nuk dihet se çfarë përbërësi fsheh Titi në gatimin e tij! Por, djemtë e Çmendinës dhe ne që i ndjekim çdo javë, mezi prezim të shikojmë se çfarë ka përgatitur mastershefi ynë i preferuar.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm