Efektet negative të rrjeteve sociale dihen botërisht. Kemi dëgjuar si mund të ndikojë tek ankthi, pasiguritë dhe së fundmi edhe tek ndjenja e lumturisë. Shumë njerëz kanë folur hapur rreth sfidave që shoqëron të paturit një llogari Instagrami apo Facebook-u, mes tyre edhe Selena Gomez. Këngëtarja më e ndjekur në Instagram, rrëfeu se po i bëhej aq i 'lodhshëm' dhe stresues, sa duhet të merrte një periudhë pushimi.
"U bë kaq konsumuese për mua. Zgjodhesha dhe flija me të. Isha e varur dhe ndjeja se po shihja gjëra që nuk doja të shihja. Gjithmonë përfundoj duke u ndjerë shumë keq kur shoh Instagramin," ka treguar Gomez në një intervistë për 'Vogue'.
Dhe e kuptojmë kaq mirë. Vetëm një shëtitje e shpejtë në Instagram dhe nis të ndihesh e pamjaftueshme, e uritur dhe gradualisht të urresh jetën tënde monotone. Vetëm ti nuk ke shkuar me pushime dhe vazhdon të zgjohesh në pikë të mëngjesit për të shkuar në punë? Ekzistojnë studime që provojnë se shkëputja nga rrjetet sociale ndikon tek një jetë më e lumtur. Por nuk duhet të jetë gjithnjë kështu. Platformat sociale mund të kenë dhe ndikim pozitiv, t'ju bëjnë të ndiheni më mirë apo të shihni jetën me optimizëm. Ndryshojeni mnyrën si i shfrytëzoni rrjetet sociale. Ja pesë gjera që duhet t'i bëni patjetër!
1. Ndiqni komedianë
Mënyra më e mirë për të kthyer hapsirën tuaj në rrjete sociale në burim argëtimi, është të ndiqni humoristë. Nëse keni shumë faqe motivimi për palestër, VIP-a ose thjesht miq tuajët, shtoni disa persona me sens humori që do t'ju ndihmojnë më shumë t'i shpëtoni streseve të ditës. Kaloni njëherë nga Instagram-i i Ermal Mamaqit, Bes Kallakut apo djemve të tjerë të rinj që krijojnë video dhe foto humoristike çdo ditë.
2. Vlerësoni meme-t
Nëse nuk ju pëlqejnë meme-t, ka ardhur koha të ndryshoni mendim. Të gjithë mund ta gjejnë veten tek to dhe është mënyra më e mirë për të zbuluar se në të njëjtën situatë si ju gjenden dhe dhjetëra mijëra njerëz të tjerë. Kaloni njëherë nga Instagrami i DNSH, Pinkman, 9gag, apo dhjetra faqeve të tjera që mund t'i përshtaten sensit tuaj të humorit.
3. Largoni njerëzit që ju bëjnë të ndiheni keq
Është shumë e thjeshtë, nëse dikush ju bën të ndiheni keq, qoftë një i njohur që poston pafund foto me të dashurin kur gjithçka që ju doni është të shijoni në paqe beqarinë tuaj, një blogere mode që blen çdo ditë gjëra të reja dhe bën pushime luksoze, ndërkohë që ti duhet të bësh pënë shtesë për të blerë një palë këpucë të reja apo faqe me shprehje depresive që nuk po ju ndihmojnë aspak të kaloni ngërçin tuaj shpirtëror.
4. Zgjeroni njohuritë tuaja
Ndiqni faqe me kuriozitete, me informacione interesante. Kështu Instagrami nuk është një mënyrë për të harxhuar kohë, ju po investoni kohë aty! Po, përsëritjani vetes këtë.
5. Kthehuni në të shkuarën
Nëse asgjë tjetër nuk funksionon, kthehuni pas në kohë. Ndiqni llogari dedikuar serialeve të preferuar të fëmijërisë apo adoleshencës tuaj. 'Friends' apo 'Gilmore Girls', ju zgjidhni.