Metropolitan > Art & Libra

Historia e jashtëzakonshme e Sophia Loren: Nga një ‘kunjë dhëmbësh’ në yll

Më në fund kemi në dorë jetëshkrimin e Sophia Loren, shkruar nga vetë ylli i kinemasë botërore. Autobiografia “Ieri, oggi, domani” (Dje, sot, nesër) vjen e shqipëruar nga Albana Nexhipi, nga shtëpia botuese “Pegi”.

Rrëfyer fare thjesht nga Sophia, tashmë një gjyshe plot hir, në këtë libër tregohet historia e pazakontë e shndërrimit të një vajze të dobët zeshkane napoletane, në një prej ikonave më të paharrueshme të kinemasë.

Të mendosh që në fillimet, fotografët e refuzonin: I thonin se ishte e pamundur ta fotografoje, sepse “e ka hundën shumë të gjatë, fytyrën shumë të shkurtër dhe gojën tepër të madhe.”

Çfarë do të zbuloni në këtë autobiografi

Sophia Loren, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë, deri më sot, nuk ishte rrëfyer kurrë. Në këtë autobiografi shndërritëse, të gjallë, ajo çtjerr jetën e saj që nga fëmijëria e një vajze të dobët e zeshkane, e më pas, në rininë e bukur, por të pasigurt, e deri në rrugëtimin që do ta çonte këtë rioshe napoletane drejt lavdisë ndërkombëtare.

Historia e Loren-it i ngjan më shumë një përralle, bashkë me ballot, sprovat e rëndësishme dhe princat e kaltër. E megjithatë, pas divës së kinemasë, buzëqesh një grua e ndrojtur, por e vendosur, që ka vuajtur shumë, ka punuar edhe më shumë, ka dashur me pasion të vërtetë e me doza të lehta ironie. Ajo na shoqëron në qytezën e saj të shkatërruar nga lufta, në Romën e filmave të parë amerikanë, në Italinë e viteve të arta.

Ajo na njeh me Marcello Mastroianni-n dhe Cary Grant-in, Charlie Chaplin-in dhe Audrey Hepburnin, e shumë të tjerë. Ajo buzëqesh bashkë me ne mbi tapetet e kuqe në Hollywood, Cannes dhe Berlin. Gjithmonë ajo na çon edhe pas perdeve, ku rreh zemra e saj prej bashkëshorteje, nëne, gjysheje, përreth një familjeje të cilën e ka konsideruar gjithmonë, si filmi i saj më i mirë. I shkruar me zemër, ky libër është një udhëtim entuziasmues në historinë e kinemasë, një roman plot me jetë, një ëndërr që një ditë u bë realitet.

Autorja

Sophia Loren është diva më e madhe italiane dhe një nga aktoret më të njohura në botë. Në karrierën e saj të jashtëzakonshme ajo ka interpretuar në mbi njëqind filma dhe ka fituar nëntë David di Donatello, dy Globi d'Oro, Coppa Volpi dhe Leone D'Or në Venezia për karrierën, pesë Golden Globe, një çmim Bafta, një çmim për interpretimin më të mirë femëror në Cannes, një Oskar si aktorja më e mirë (1962) dhe një Oskar për karrierën (1991).

Artikuj të ngjashëm