Metropolitan > Kinema & TV

Mllefi i shqiptarëve ndaj çiftit të lesbikeve tejkalon njerëzoren

Pritej dhe ndodhi: hyrja në shtëpinë e Big Brother e një çifti lesbikesh shkaktoi shumë polemikë mes publikut. Aq sa, ka edhe nga ata që i mallkojnë dy vajzat.

Në kohë reale, shumë njerëz iu drejtuan rrjeteve sociale për të komentuar mendimin e tyre mbi banorët e Big Brother, që pas dy vitesh kthehet me një formulë të ndryshuar duke pasur në konkurrim çifte, nga të cilët njëri do të shpallet fitues i 100 mijë eurove.

Njëri prej çifteve ishte edhe ai i dy vajzave Vivi dhe Kei, të cilat pas një lidhjeje të gjatë kishin pësuar një ftohje. Vajzat iu drejtuan Big Brother-it me shpresën që aty të rigjejnë marrëdhënien e dikurshme. Kei, e cila është tani 23, thotë se prindërit e saj ia kanë pranuar homoseksualitetin që kur ishte 13. 

Hyrja e Keit dhe Vivit u paralajmërua që më parë në media dhe sapo ato u shfaqën në ekranin e Top Channel, u duk sikur njerëzit u kishin ndenjur gati sepse vërshuan në komente negative në rrjetet sociale. Vetëm në faqen Anabel Facebook kishte me dhjetëra komente për vajzat: e vështirë të gjesh komente mbështetëse, edhe pse ka të tillë.

Më të shumtët janë ata që si argument për mospranimin e homoseksualitetit nga ana e tyre, përdorin Zotin. Ka me dhjetëra komente të tilla.

“Perëndia e ka bërë që një gjë e gjatë futet në një vrimë, që nga dryni me çelësin deri tek kafshët dhe njeriu.”, shkruan një komentues. Por ndërsa sipas Biblës dhe Kur’anit, Zoti nuk e miraton në asnjë mënyrë t’i dëshirosh vdekjen dikujt, mllefi ndaj dy vajzave vetëm sepse janë homoseksuale shkon deri në mallkime: “Ishalla ngordhin aty brenda!”, është një tjetër koment.

Madje ka nga ata që homoseksualitetin e krahasojnë me pedofilinë. “Le të dalë Ardian Prrenjasi nga burgu, dhe ta fusin në Big Brother me fëmijë 10 dhe 13 vjeç.”, shkruan dikush.

Ndërkaq, ka edhe nga ata që argumentojnë të mos përqëndrohemi tek emancipimi përmes përfshirjes së homoseksualëve në spektaklet televizive, por duke bërë fushatë kundra dhunës dhe krimit.

“Duan të na emancipojnë me zor si gjithmonë”, shkruan një komentues, “por vetëm për shijet seksuale. […] Askush nuk promovon kulturën e të qëndruarit larg dhunës, larg krimit, kulturën e bashkëjetesës në harmoni…”

Mes gjithë komenteve gjen edhe nga ata që e vlerësojnë këtë Big Brother sepse po promovon pranimin e diversitetit.

 “Mendoj se Big Brother-i i sivjetshëm po na përcjell mesazhe që na çojnë tek paqja.”, shkruan një komentuese, “Mesazhet/ indikacionet janë kundër racizmit siç ishte Armela (rome) kundër homofobizmit (Kei dhe Vivi) dhe nacionalizmit: çifti me prejardhje maqedonase (Lupcja dhe Katerina)."

Nuk është hera e parë që në Big Brother hyjnë banorë homoseksualë. Kujtojmë se i pari që e pranoi ishte Klodi i “Big Brother 3”. Deklarata e tij shkaktoi një bujë tejet të madhe në media dhe në publikun që ende nuk kishte parë ndonjëherë një personazh publik të vetëdeklarohej për prirjet seksuale e dashurore.

Edhe sot, 7 vjet më vonë, duket të jetë po kaq e papranuar.  

Artikuj të ngjashëm

. .