Kur Daniel Radcliffe doli nudo në skenën e Teatrit të Londrës në 2014-ën, u quajt “shfaqja më e mediatizuar e viteve të fundit”. Sot “Equus”, trilleri psikologjik tronditës i shkrimtarit britanik Peter Shaffer, ka premierën në skenën e Teatrit Kombëtar.
E solli një regjisor boshnjak me origjinë shqiptare: Dino Mustafiç. Në kastin e kësaj shfaqjeje janë emra shumë të njohur të skenës si Ema Andrea, Timo Flloko, Arben Derhemi, Erjona Kakeli, Luli Bitri apo Lulzim Zeqja. Mustafiç ia besoi rolin më sfidues- atë që zhvishet, që i nxjerr të gjitha- një aktori të ri me një profil davidian që nuk ka frikë nga trupi i tij.
Igli Zarka luan rolin e 17-vjeçarit Alan Strang, i shtruar në një spital psikiatrik pasi verboi 6 kuaj. Ai nuk i urren kuajt: ka një fiksim patologjik me ta. Një rol shumë sfidues jo sepse duhet të dalësh nudo.
“Jo nuk është nudo. Ai është kostumi i tij. Alani jonë kalëron në natyrë. Ai kënaqet me lirinë. Dhe ne jemi të lirë kur nuk i kemi rrobat tona. Trupi është instrument i aktorit. Trupi në skene kurrë nuk është provokim. Ai na ka frymëzuar për art që nga koha e Mikelanxhelos e deri më sot. Nëse bukuria mund të jetë provokim. Atëherë e kam bërë qëllimisht”, shpjeoi për Top Channel regjisori.
Psikologu Dysart, i luajtur nga Timo Flloko, përpiqet ta çlirojë këtë adoleshent nga frikërat e tij. Frikëra që siç duket, e kanë fillin tek marrëdhënia e ndrydhur me prindërit, nënën e luajtur nga Ema Andrea dhe babanë, Arben Derhemi.
Prandaj Mustafiç thotë se kjo shfaqje është një sfidë jo vetëm për regjisorët dhe aktorët, por edhe për publikun: një sprovë nëse jemi apo jo aq të lirë sa e quajmë veten. Mbajmë parasysh se Shaffer e shkroi 47 vjet më parë, në 1973-shin.
“Është një shfaqje që të bën të reflektosh mbi ndërgjegjen tënde. Që të kuptosh se sa kemi evoluar ne si njerëz të lirë. Kjo shfaqe na bën të reflektojmë edhe mbi veten dhe mbi lirinë. Edhe se sa shoqëria, joqytetaria dhe gjithë njerëzit na bëjnë të shkatërrojmë lirinë tonë”, u shpreh Mustafiç.