Metropolitan > Anabel Gruaja

Jalldiz Kastrati, përtej imazhit të avokates së gjyqeve më të bujshme

Fotot nga Nurjona Pinguri

Kur u nisëm për të takuar Dizi Kastratin, kishim në mendje atë imazhin klasik të avokates së sertë penaliste, që nuk ka frikë të merret me kriminelët më të rrezikshëm. Siç ndodh në kësi rastesh, pritja e saj tregoi krejt të kundërtën: avokatja e çështjeve më të bujshme të krimeve të rënda në Shqipëri ishte e qeshur, bënte shaka dhe të bënte të ndiheshe si në shtëpi.

Porse, sa më shumë të flisje me të, aq më shumë e kuptoje se Dizi (siç e thërrasin miqtë), është nga ata njerëz që nuk u dridhet qerpiku.

Kishim njëmijë pyetje për t’i bërë dhe s’po dinim nga t’ia nisnim. Megjithatë, Dizi Kastrati dikur ka qenë gazetare dhe e çonte gjithnjë bisedën aty ku duhej. 13 vite në radio: kujt ia merrte mendja se më vonë do të bëhej avokate në çështjen e Dritan Dajtit dhe bandave më famëkeqe në historinë e krimit në Shqipëri.

Por prapë, nuk na la kureshtja e njeriut të thjeshtë: “Si ndihesh kur të duhet të jesh, siç është edhe titulli i filmit të famshëm, avokate e djallit?” Përgjigja e saj qe e shkurtër:

“Avokatin e djallit” nuk e njoh fare. Unë bëj vetëm avokatin.”                

Në media njihet si “avokatja e Dajtit dhe bandave”, për shkak të jehonës së madhe të këtyre çështjeve të përfaqësuara në gjykatat shqiptare nga një grua. Por Jalldiz Katrati e njeh veten para të gjithave si një “njeri të ligjit”. E megjithatë, ka diçka që e prek së tepërmi: janë çështjet e grave të dhunuara.

“Jam e prerë në këtë pjesë. Mund të duket e thënë vrazhdë, por s’kam pse ta fsheh. Klientet gra i kam më afër zemrës. Vështirësitë e grave në Shqipëri i shoh, i prek dhe i ndiej. Duhet të më shikosh sesi i mbroj gratë kundër burrave në procese divorcesh, për ta kuptuar. Kur jam në mbrojtje të burrave, ua them edhe hapur: do të jem me palën kundërshtare, sepse është grua. I përjetoj shumë fatkeqësitë e tyre.”

Përtej lajmeve të bujshme për të nëpër media dhe imazhit klishe që mund të ketë një avokate grua në Shqipëri, në këtë intervistë për Anabel.al, Jalldiz Kastrati na rrëfen të padëgjuarat e çështjeve më rrënqethëse në historinë e krimit shqiptar pas viteve ’90 dhe sesi i ka njohur nga afër kriminelët, që për të janë njerëz si të gjithë ne.

Ke punuar në radio që kur ishe 13 vjeç. Sot je ndër avokatet më në zë penaliste. Çfarë ndodhi?

Jam rritur në Radio Shkodra; fillimisht si gazetare, më pas redaktore e të gjithë programacionit. Shkolla ime e parë ka qenë për këtë fushë, në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë dhe Gazetarisë. Ndihesha si të kisha lindur në radio dhe besoja se do të isha aty përgjithmonë. Por në të vërtetë, nuk ndodhi kështu.

Gjatë tranzicionit pati lëvizje në të gjithë strukturën e radios. Nisa të kërkoja punë tjetër. M’u ofrua një vend pune si hetuese në hetuesinë e Shkodrës, dhe e kisha me shumë dëshirë. Fillova edhe fakultetin e dytë, atë të juridikut, ndërsa edhe punoja. Puna më ndihmoi shumë të diplomohesha me vlerësime të larta: pjesa teorike është tejet e rëndësishme për të qenë një jurist i plotësuar. Por unë pata fatin e madh ta mësoja gjithçka edhe në praktikë, duke punuar me prokurorët më të mirë të kohës. Ishin të ashpër dhe shumë kërkues karshi meje, por kjo më mësoi shumë gjatë 9 viteve që isha atje. Aty nisi e gjitha.

Aty vendose të hapje zyrën tënde të avokatisë?

Jo. Asokohe as që e merrja me mend çfarë është avokatia, se do ta dashuroja kaq shumë. Kam punuar edhe në administratë, në prefekturën e Shkodrës, por do të ishte puna në Ministrinë e Drejtësisë që më solli në Tiranë dhe më hapi rrugët. Isha drejtuese në punën për përcaktimin e veprave penale nga dosjet e të përndjekurve.

Por ajo që më lidhi me njerëzit që vuajnë dënime ishte kur nisa punën në Drejtorinë e Përgjithshme Burgjeve, në departamentin juridik. Aty hasa një specifikë krejt tjetër. Njoha thellësisht politikën penitenciare (ndëshkimore), si edhe politikën e strehimit të të burgosurve. Mësova shumë mbi marrëdhëniet me të burgosurit dhe të tjerët, si kryetare e zyrës juridike.

Që atëherë punon me të burgosur...

Kam një shprehje që e përmend shpesh mes kolegësh: jam prej 25 vitesh “në burg”. Hyra në burg në vitin 1991 dhe që atëherë, nuk kam dalë më. Dikur si hetuese-prokurore, pastaj si juriste e Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, sot si avokate.

Realiteti brenda burgjeve na duket si një botë e largët. Si i krijon marrëdhëniet me ta?

Si avokate, kam një pozicion më afër klientit. Edhe më parë kam ruajtur gjithnjë atë distancimin zyrtar, por mbi të gjitha, çdo person me një masë arresti e kam trajtuar në radhë të parë nga ana njerëzore. Janë njerëz si ne, që fatkeqësisht dikur kanë rënë në kurthin e krimit. Secilit i kam ofruar mbështetjen morale dhe atë ligjore, me të gjitha të drejtat që ua jep ligji dhe do të ishte e palogjikshme t’ua mohoja unë.

I rikthehemi pyetjes: si e hape zyrën e avokatisë?

E mora licencën e avokatisë para 18 vitesh kur nuk mund ta përdorja, sepse kisha një pozicion drejtues në Drejtorinë e Burgjeve. Për të tjerët ishte diçka e parëndësishme licenca në pozicionin ku isha, por unë po kuptoja se e doja shumë këtë profesion. Sapo dhashë dorëheqjen aty, hapa menjëherë zyrën time të avokatisë. 

Është e vështirë t’ia nisësh nga e para në avokati?

Fillimi ishte tronditës për mua. Për muaj me radhë, nuk më afrohej askush, pavarësisht njohurive që kisha. Ishte i vetmi burim të ardhurash në atë kohë, nuk kisha punë tjetër. Avokatia s’po më jepte për të ngrënë, taksat, qiraja... ishte një moment shumë i vështirë nga ana financiare. Aq sa nuk kisha as të bleja mantelin e avokatit. M’u desh të sajohesha me pak: bleva një copë, gjeta një rrobaqepëse të lirë dhe e qepëm bashkë.

Sidoqoftë, unë vija me një përvojë 10-vjeçare në prokurori; e njihja fushën penale, sepse më kishin besuar çështjet më të vështira. E dija se herët apo vonë, një ditë do të shkëlqeja.

Cila ka qenë çështja jote e parë?

Një ndër momentet më të vështira për një avokat është të “dalë në skenë”. Kur nuk të njohin, klientët e kanë të vështirë të të besojnë. Fillimisht e vizitoja gjykatën vetëm për të marrë masa sigurimi.

Duke më parë atje, gjykatësit zgjodhën të më caktonin avokate në një prej rasteve më të bujshme të momentit. I burgosuri Frederik Durda vuante dënimin në një prej burgjeve në rrethet, dhe me leje të veçantë erdhi në Tiranë për të vizituar gruan, e cila kishte humbur fëmijën gjatë lindjes. Në këtë kohë u arratis. Qëndroi 4-5 ditë në arrati derisa e kapën.

Do të gjykoheshin edhe 4 policët që e shoqëronin, si dhe dy persona të tjerë që besohej se e kishin fshehur. Më zgjodhën për të bërë mbrojtjen e njërit prej policëve, dhe e bëra.

Ndërkaq pashë një grup avokatësh që ishin mbledhur duke pritur. Pyeta dhe më thanë se po prisnin se cilin prej tyre do të thërriste Frederik Durda si avokat mbrojtës. Policia del dhe thërret emrin tim, si avokati që do të mbronte Durdën. Unë shtanga. Ma përsëritën prapë, s’më besohej.

Hyra dhe e takova. Ai tha se kishte dëgjuar për mbrojtjen që i kisha bërë policit, ndaj dëshironte që të isha unë avokatja e tij. Çështja më shkoi mbarë. Ishte integrimi im i parë në profesionin e avokatit.

Si ishte kontakti i parë me trupin gjykues?

Kisha shumë emocione! Dridhesha dhe sado që përpiqesha të dukesha e qetë nga jashtë, nuk ia dilja dot. Ishte takimi i parë me sallat e gjyqit, me mbrojtjen.

Po tani?

Sot ndihem si të jem duke folur me ty.

Je ndier e paragjykuar sepse je grua?

Fillimisht po. Sot kam autoritetin tim, kam vizionin tim personal. Në këtë profesion duhet të dish shumë dhe të jesh edhe shumë praktik, çka unë kam punuar fort për t’i pasur. Kam pasur fatin të vlerësohem për këtë.

E ushtroj profesionin tim me shumë fanatizëm duke i qëndruar gjithnjë bazës: së pari kam ruajtur kurdoherë distancimin zyrtar, së dyti i zbatoj me përpikmëri teknikat proceduriale. Është kryesorja për një avokat. Nuk mund të mbrosh dikë në gjyq duke thënë: “ia lëmë Zotit, do ta ndëshkojë ai”, pa përdorur një dispozitë ligjore. Nuk e beson dot sa shumë avokatë ka që përdorin kësi lloj mbrojtjeje. Ndonjëherë shpërthej në mes të seancës, detyrohem t’i kërkoj kryetarit të hyjmë në objekt.

The se çështjet e grave të prekin shumë. Po drejtësia, i mbështet gratë?

Ka shumë gra që dënohen padrejtësisht. Shihen si të brishta, dhe ligji në njëfarë mënyre i merr përpara. Pastaj kjo nis që tek policia. Kam pasur disa raste kur klientet e mia më kanë marrë natën vonë në telefon. Më kanë treguar se janë dhunuar nga bashkëshorti apo ish-bashkëshorti. E kam drejtuar të shkojë në polici dhe disa herë gratë janë kthyer mbrapsht nga policët. Ka edhe raste të tjera kur nëna nuk ka asnjë lloj mbështetjeje nga fëmijët, duke i dalë në krah babait dhunues sepse burri shihet si epror, si më i mirë. Dhuna ndaj gruas shqiptare duket sikur, jo vetëm nuk po rrallohet, por vetëm sa shtohet.

Le të ndalemi pak tek “çështjet e bujshme”. Ke qenë avokate për bandën e Cërrikut, bandën e Durrësit, bandën e Lazaratit 2... Ndër më të fundit qe edhe çështja e Dritan Dajtit, që ti e mbrojte për tre vjet, pastaj hoqe dorë. Çfarë ndodhi?

Çështjen e Dritan Dajtit e kam ndjekur për tre vjet në prokurori dhe më pas në Gjykatën e Shkallës së Parë. U largova për shkak të mbingarkesës në gjykata. Për të bërë punën e tyre, më ngarkuan edhe dy personat e tjerë që u arrestuan me Dritan Dajtin, pra e gjithë pesha e gjyqeve të mbrojtes për tre persona. Ishte tepër për mua, u ngarkova jo vetëm nga ana profesionale, por edhe nga ana personale. Erdhi një moment kur m’u desh të jepja dorëheqjen. Kjo natyrisht nuk u prit aspak mirë, sepse u pezullua puna.

Gjatë gjyqit kisha edhe truproja, ishte një çështje shumë delikate. Gjykatat harronin se unë kam edhe autoritetin tim në mbrojtje, sado që u mundova ta vija ligjin në vend. I shkoj gjithmonë këtij parimi: “Ligjin e du’ dhe e dru’”- e kam frikë.

Kohët e fundit u caktova edhe për Shullazin. M’u desh përsëri të hiqja dorë për arsyet e mia.

Për cilat arsye?

Aktualisht punoj edhe jashtë. Sapo kam ardhur nga Gjykata e Brukselit. Kam një ndër çështjet më të bujshme të një vrasjeje në mes të ditës, në mes të sezonit, në plazhin e Ulqinit. Një doktor malazez vrau një biznesmen shqiptar. Ka mbi tre vjet që po e ndjek. Kam një rast në Greqi, një divorc pafund mes dy emigrantëve shqiptarë në Itali. Një të tillë edhe në Frankfurt. Prandaj nuk mund ta pranoja çështjen e Shullazit, sepse me siguri do të zgjatet dhe do të ketë seanca të shpeshta.

Rasti i Dajtit pati shumë bujë në media. Kur hoqe dorë në gjykatë pati kaos, qindra avokatë, konferenca për shtyp, t’u kërkua të ktheheshe... Si e përjetove gjithë këtë bujë?

E kam paguar në një mënyrë jo fort njerëzore. Në Tiranë, ku edhe banoj, më thyen xhamat dhe më vodhën çantën një natë kur, nga ngarkesa e gjyqeve, isha shumë e lodhur dhe e kisha harruar brenda, ku edhe dukej. Kisha 50 mijë lekë të vjetra. Por gazetarët, për të krijuar sensacion- mund ta gjeni ende në internet- shkruan në mënyrë të pabesueshme se “avokates së çështjeve më të bujshme i thyhet makina, dhe i lënë 50 mijë eurot që kishte në makinë.” Kjo është e papranueshme: mos duan që të ma thyejnë edhe 10 herë të tjera?

A ke frikë për veten dhe familjen?

Nuk kam frikë, sepse nuk kam cënuar askënd deri më sot, edhe me palën kundërshtare kam qëndruar gjithmonë korrekte. Vetëm shëndeti do të më detyronte të largohesha nga avokatia.

Po të profilizohesh vetëm tek civilja, ke menduar?

Kam filluar të merrem edhe me çështje civile, por nuk është e njëjta gjë. Penalja është e ashpër, dinamike, ka zhvillim. Civilja nuk ka zhvillim. Ndërsa divorcet ndërthurin shumë civilen me penalen. E trajtojmë të drejtën familjare tek civilja, por për mua, divorci i përmbledh të dyja natyrshëm. Kam provuar ta lë penalen, por i rikthehem me shumë mall. Provova të shkëputem për rreth një vit e gjysmë, durova sa munda por, si ai që lë duhanin me shumë mund, iu ktheva prapë.

Si janë kriminelët nga afër?

Janë njerëz si ne, ndoshta deri dje, edhe më të mirë se ne. Një moment mund ta çojë këdo, dashur pa dashur, në botën e krimit. Natyrisht, ata që janë më të dobët, bien pre më thjesht. Ka shumë rrethana që mund të të kushtëzojnë, të të detyrojnë edhe kur nuk do, të cilat nëse i them, ndoshta mund t’i dal kundra edhe ligjit. Flas nga ana psikologjike, jo në aspektin ligjor. Kurrsesi nuk do ta justifikoja një vrasës, dikë që i merr jetën një njeriu. Kjo shkon përtej njerëzores: asnjëri prej nesh s’e ka këtë të drejtë. Por ka raste që njihen edhe nga dispozitat e veçanta të kodit penal. Nëse dikush më cënon jetën, unë reagoj dhe nëse reagoj, shkaktoj krim. Është ajo që njihet si “vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes”, dhe gjykohet ndryshe. Por natyrisht, vrasjet me paramendim nuk mund të gjykohen njëlloj.

A është ligji shqiptar i plotësuar me dispozitat që duhen?

Jo. Ka shumë mangësi. E them më me bindje, pasi kam parë dhe po prek edhe drejtësinë evropiane. Kam pasur fatin e mirë që shumë nga pjestarët e Parlamentit Evropian t’i kem miq. Aktualisht po merrem me lëvizjen e diversitetit të krimeve të luftës në Kosovë, si konsulente që komunikoj drejtpërdrejtë me PE-në. Për shkak të këtij kontributi, jam regjistruar edhe në Parlamentin Evropian, por nga Kosova, jo nga Shqipëria.

Legjislacioni ynë ka shumë vakuume. Është mëse e nevojshme të hartojmë ligje për më shumë kohëzgjatje dhe më efikase, jo të lëmë hapësira bosh me idenë se do t’i plotësojë dikush tjetër!

A ka drejtësi në Shqipëri?

A ka... Kemi pak drejtësi. E pohoj me plot gojën. Si njeri i ligjit, nuk mund t’i them të zezës e bardhë.

Kryem një sondazh në Anabel: 'Cili është profesioni më zhgënjyes për të rinjtë shqiptarë?". Shumica thanë se është drejtësia, sepse pasi mbarojnë juridikun, nuk gjejnë punë në profesion.

Është krijuar ky lloj koncepti sepse Fakulteti i Juridikut ka shumë studentë. Por jo të gjithë ia dalin, dhe ai që do të punojë, punon.

Çfarë duhet të bëjnë studentët që të kenë një karrierë në drejtësi?

Duhet të praktikohen shumë që të mësojnë. Nuk mund t’i hysh këtij profesioni pa e mësuar. Më parë, për t’u bërë avokat duhet të jepje një provim. Unë kam qenë ndër ata që kam kërkuar hapjen e një shkolle avokatie, e tashmë duhet të studiosh një vit për t’u bërë avokat. Nuk mund të quhesh avokat me një provim. Stazhi është faza tjetër e rëndësishme. Mund të vijnë tek zyra ime, tek zyra të tjera avokatie, por duhet ta dinë se askush nuk i pret me krahë hapur, po nuk patën mësuar mirë teorinë dhe nëse nuk tregojnë se dinë të punojnë fort.

Po fëmijët duan t’i ndjekin hapat e tu?

Ime bijë, tani 24 vjeç, mbaroi Fakultetin Juridik. Më ndaloi rreptësisht të shkoja në shkollën e saj, sepse nuk donte ta dinin se është vajza ime, që të mos ndikoja në asnjë lloj mënyre tek pedagogët. E mbaroi me nota shumë të mira. Më gëzoi shumë sepse m’u duk sikur mezi po priste të diplomohej dhe do të punonim bashkë. Kam pasur dhe kam asistentë të tjerë, por për mua do të ishte e jashtëzakonshme të kisha një prej fëmijëve të mi pranë vetes. Por në një moment, më tha se nuk donte të ishte më juriste. Këtë vendim s’e kuptova ndonjëherë. I pëlqen arti dhe tani, merret me art.

Ndërsa im bir është profilizuar në një fushë krejt tjetër, në shkencat e natyrës. Natyrisht, do të kisha shumë dëshirë të punonte me mua, por kjo ishte zgjedhja e tij.

Je e rreptë me ta?

Jam më e rreptë se ç’duhet me fëmijët e mi. Ndoshta u kam kërkuar më tepër se ç’duhet, por shpresoj që në të ardhmen, të dinë ta kthejnë për të mirën e tyre. Tani, unë e vlerësoj shumë rreptësinë e tim ati. Ai ka qenë doktor, ka punuar dhe ka arritur shumë në luftën kundër tuberkulozës. Ishim shumë shokë, por ishte edhe shumë normativ.

Çfarë beson se të solli deri këtu?

Kam punuar shumë dhe kam qenë shumë ambicioze. Edhe tani që i kam kaluar të 50-at dhe do të duhej të isha më e matur, nuk ndaloj së ndjekuri ambicien. Nuk kam thënë kurrë: “nuk mund ta bëj”. Edhe për rastet më të vështira, jam përpjekur ta gjej mënyrën për t’i zgjidhur. Prandaj sot nuk kam frikë asnjë çështje, sado e vështirë qoftë ajo.

Genta Hodo
Gazetare

Artikuj të ngjashëm