Po, ne luftojmë për barazinë gjinore dhe duam që gratë dhe burrat të trajtohen njëlloj në çdo fushë të jetës, por na pëlqen ose jo, ekziston një kategorizim i heshtur i profesioneve, që i ndan në punë për femra dhe për meshkuj. Nëse është një profesion që konsiderohet i vështirë, që kërkon lodhje më të madhe dhe si rrjedhojë rrogë më të lartë, duhet të bëhet nga burrat. Por në fakt, zbuluam se kjo ndasi po fillon të shkrihet pak nga pak: atë që burrat mund të bëjnë mund ta bëjnë gratë dhe anasjelltas. Për këtë kemi 'ekzaminuar' portalet zyrtare të Universitetit të Tiranës, më specifikisht të fakulteteve që konsiderohen më të vështira edhe nga studentët dhe për habinë tonë, zbuluam se numri i pedagogeve femra ishte i lartë, madje tejkalonte edhe atë të pedagogëve meshkuj.
Në Fakultetin e Ekonomisë punojnë 141 pedagogë, nga të cilët 93 janë gra. Pra ndryshe nga sa mund të mendohej, mund ta themi se kur vjen puna tek shifrat, gratë kanë dhunti! Jo më kot janë zgjedhur për të mësuar brezat e rinj të ekonomistëve. Nga gjashtë departamente, tre drejtohen nga pedagoge gra, ndërsa pozicioni i dekanit dhe zv. dekanëve i është besuar meshkujve.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Departamentin e Fizikës janë 22 pedagogë të brendshëm, 11 gra dhe 11 burra. Jo keq për një shkencë relativisht të vështirë, ku numri i profesorëve, doktorëve dhe lektorëve që japin mësim është i njëjtë si për meshkujt dhe për femrat.
18 është numri i pedagogeve gra në Departamentin e Informatikës, nga 27 që shkon në total numri i tyre. Informatika mund të konsiderohej e vështirë deri dje, por tani gratë e kanë marrë në patronazh dhe po e bëjnë mirë!
Në Departamentin e Matematikës 9 janë pedagoge gra nga 17 pedagogë që japin mësim për studentët. Ndërsa në atë të Matematikës së Aplikuar, gratë kryesojnë bindshëm me 12 përfaqësuese, nga 16 pedagogë gjithsej. Jo keq, apo jo?
Por në Fakultetin e Mjekësisë, në departamentin e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut, atë të kirurgjisë apo në departamentin e neuroshkencës, vijon të ketë më shumë pedagogë burra krahasuar me numrin më të vogël të grave.
Nuk e përcakton gjinia profesionin që ushtron. Është një konkurrencë e hapur: Nëse ke aftësitë dhe njohuritë e duhura, mund të bësh gjithçka. Dhe këto pëdagogë shqiptare janë një shembull i vogël, por shumë motivues për të gjitha vajzat që stepen për të ndjekur ëndrrat e tyre, 'sepse ato i takojnë djemve'. Nuk ekziston diçka e tillë!
Për të dhënat e publikuara më lart kemi shfrytëzuar faqet zyrtare të fakulteteve përkatëse, që janë të përditësuara dhe ofrojnë të gjithë informacionet e nevojshme.