Metropolitan > MetroChic

Më ke munguar Alinë...

Autorja, një bukuroshe 30 e diçka vjeçe, e rritur në metropolin tonë të quajtur Tiranë, rrëfen aventurat e saj dhe ndan rrugëtimin e saj në kërkim të mashkullit ideal.

Shikoni fotot e tjera!    v      

Nga të gjitha shenjat dukej që Kuksiani po flirtonte haptazi me Asaj. Mbase sytë e lagësht të Asaj nga malli për Gencin i bënin përshtypje. Përfundimisht veriorët kanë lindur për të flirtuar. Kanë një mënyrë ndryshe nga meshkujt e tjerë, por kaq kanë të shkretët. Vetëm nëse je në dëshpërim total mund të dashurohesh me ta. E mirë, e çfarë pastaj? Unë po mundohem që Asaj ta kalojë sa më lehtë mungesën e Gencit.

Këpuca kishte mbaruar takimin dhe po më sms-nte gjatë gjithë kohës. Ledhet pa fund që më thoshte, më detyronin të buzëqeshja fshehurazi ndërkohë që Kuksiani dhe Asaj i ishin futur shumë thellë kopshtarisë. Diskutimi nëse në zonat detare ishte më mirë mbjellja e manit apo e kumbullës nuk më interesonte fare.

-Alinë, të kujtohet lista që më ke treguar, të cilën çdo njeri nga ne e ka ?

-Po, - i përgjigjem me sms, - sigurisht secili nga ne ka listën e tij.

-Pikërisht prandaj po të pyes, unë listën tënde nuk e kam.

-Listën time???- s’po e kuptoja…

-Do të jem për 30 minuta në qendër - Më nis listën me SMS se çfarë të duhet! Urgjent!

Ooooo Zoooot i madhhhhh! E lexova SMS nuk di sa herë. Po lista ime është pafund, më duhet garderrobë e re në rradhë të parë, pastaj të gjitha parfumet i kam në gjysmë …hmmmm, po të brëndshme? Jo, jo të brëndëshmet s’mund të mi blejë Këpuca, sepse më duhen reçipetat me mbushje. S’ia tregoj të gjitha unë të dashurit! Po këpucë? Po këpucët s’mund t’i marr pa i provuar. Këmba ime është 25 cm, por varet çfarë modeli do të jetë këpuca. Po çfarë pyetje po bëj! Me majë do të jetë, si mund të jetë ndryshe?!

Fillova të nxirrja nga garderroba të gjitha veshjet të cilat nuk do të përdoreshin më kurrë. Fillova të ndaja se kujt do t’i falja kë fustan e kujt kë fund.

Të gjitha këto me mendjen time!Po numëroja me sy hapur se sa palë këpucë do t’i hidhja fare, po fare fare!

-Po pres unë!

  Çfarë t’i përgjigjesha?

-Nuk dua asgjë Damian! Kthehu dhe do të më japësh një gjë që më përket.

Dëgjoja Këpucën që qeshte i lumtur nga ana tjetër. Sa pak duan meshkujt për të qenë tu lumturuar. U mjafton një fjalë, jo si ne që dhe 100 000 euro pffffffff i përkthejmë në tre çanta dhe 5 fustane… dhe përfundimi: përsëri të pakënaqura mbetemi!

-Do të të jap ç’të duash, por e kam ndarë mendjen që një dhuratë do të ta bëj. S’mund të kthehem duarbosh!

-Dhurata më e bukur je Ti zemër.

-Jo! Je ti, ti, ti!

Largësia na i nxorri të gjitha ndjenjat sheshit. Po bënim si kalamaj. Kuksiani dhe Asaj ishin kthyer e po më shikonin. Unë shkruaj SMS e interpretoj me mimikë; më mirë do të ishte t’ua kisha lexuar me zë.

-Alinë do të të shkruaj kur të arrij, OK? Ndërkohë bëhu gati për në darkë. Do të dalim me disa shokë te mi dhe gratë e tyre.

-OK zemër, të puth e rrugë të mbarë!

Për kush e di të satën herë SMS-ja e Këpucës më detyronte të ngrihesha e të vrapoja për t’u bërë gati, ndërkohë që isha e detyruar të qëndroja në kafe sepse isha me njerëz të cilët i kisha ftuar unë.

Kuksiani më nxorri nga situata:

-A po çohena ? E kam t’xanun nji orar. Tash qi kena vu dritat n’fush po lozim deri n’mesnat. A bahena për naj drekë a darkë kyt fun jave?

Më shumë pyetja i ishte drejtuar Asaj, sigurisht, por nga fytyra kuptova që Asaj s’kishte kuptuar asgjë.

-Do të të them unë,- ndërhyra pa takt,- do lemë një drekë shumë shpejt, pse jo?

Buzëqesha, i putha të dy në faqe dhe u nisa si e çmendur në drejtim të papërcaktuar.

Çfarë të bëja? Nga t’ia nisja? Duhej të depilohesha, lahesha, krihesha, trukohesha, vishesha! O Zot, jam kaq e stresuar sa do të doja të dërgoja dikë tjetër në vendin tim për darkë.

Momenti i shumëpritur erdhi. Do të darkoja me gratë e grupit. E punë e madhe do të thoni ju!Po jo moj jo, se ATO janë gra të grupit prej shumë vitesh.Ku e di unë sa kanë parë si unë e si i kanë pritur e sa ndikon tek Këpuca mendimi i tyre?

Isha në siklet. Të gjitha fustanet më dukeshin kot; plus që s’doje të vishja fustan. S’doja të ngrifesha sikur ku po shkoja. Por, ama do të doja të isha e bukur dhe t’i lija me gojë hapur, ose të paktën të isha në të njëjtat standarde me to. Kush e di sa të bukura ishin! Një të mirë e kam të paktën, edhe po të jem duke vdekur nga emocionet, nuk e jap veten.

Ngjita shkallët e parukerisë. Turqit janë të vetmit që dinë të krehin flokët e mi. I lëmojnë dhe u japin ndriçim mëndafshi. U ula dhe rrufitaçajin me mjaltë, ndërkohë që filloi trajtimi i këmbëve. S’e kisha vendosur ende se cilat këpucë do të vishja, kështu që çdo gjë duhet të ishte në vendin e vet. Mbarova këmbët, duart, flokët në heshtje totale. Ndonjë nga gratë e grupit mund të ishte aty ngjitur me mua, nuk mund të rrezikoja kaq shumë.

U zhyta me turi në gardërobën time, sepse me kokë e kisha të pamundur për shkak të flokëve të porsa krehur.

Nxirr një fustan e nxirr një fund e nxirr një bluzë...asgjë, të gjitha më tregonin si Shreku. Ç’kanë qenë rehat njëherë e njëkohë që kishin një fustan vetëm!

Ndërkohë që kërkoja, lëvizjet i bëja të ngadalta, se nuk doja të përfundoja ujë në djersë e të më rraseshin flokët pas koke. Isha totalisht në kaos. Vendosa të marr Vadikun në telefon.

-Alo zemra, më fal, por duhet t’i bie shkurt.

S’e lashë as të më përshendeste sepse nëse do të fillonte me ankesa as nesër në mëngjes s’do të më binte rradha të flisja.

-Kam një darkë shumë të rëndësishme me të gjitha gratë e grupit, çfarë të vesh?

-Në fakt s’kam asgjë për të thënë, kështu që edhe po t’i bije gjatë, njësoj do të të dilte. (Ishte me nerva!) Nëse ke darkë më gratë e rëndomta të Tiranës atëherë të rekomandoj që të mos bëhesh shumë e mirë që në takimin e parë. Më mirë të thonë sa vajzë e mirë se sa t’i ngjallësh xhelozi. Darkë e rëndomtë është. Nuk po shkon në ndonjë pritje!

Kishte të drejtë. Këtë të keqe kisha, që nuk arrija të ndaja të përditshmen nga e veçanta. Më qëllonte të shkoja në punë e veshur sikur po shkoja në një event të rëndësishëm!

-OK atëherë, po vesh një fund pana me nje këmishë të kaltër dhe një palë këpucë bezhë.

-Dhe vetëm pak rimel, jo buzëkuq! Do të të duhet të buzëqeshësh dhe po t’u përlyen dhëmbët pastaj mendo çfarë figure qesharake mund të bësh,- plotësoi Vadiku.

-Ikaaaaa!

-Jo, prit! Mos harro çantën. Mos merr atë thesin e madh ku ke dhe pizhamat që ke veshur 10 vjeç! Sajohu me ndonjë çantë të vogël.

-Kam një shumë të bukur të MCQUEEN.

-Në asnjë mënyrë! Do të të përjashtojne direkt. Merr atë cantën e Mangos!

Vadiku si përherë ka të drejtë. “Nuk duhet të dukesh që në herën e parë”, kjo është motoja e tij. Dhe në punë dhe kudo ku ke për të takuar njerëz të rinj, duhet të jesh minimaliste. Thjeshtësia krijon gjithmonë përshtypje të mirë, dhe përshtypjet e para janë gjithmonë të rëndësishme.

Këpuca kishte mbërritur në Tiranë.

-Zemër merr nje taksi të lutem që të mos vonohemi. Unë duhet të bëj një dush të shpejtë. Të pres lart.

Këpuca më hap derën dhe zhduket përsëri ne banjë. Gjurmët e lagura të këmbëve të tij janë gjithandej. Vendos këmbët e mia mbi gjurmët e ujit dhe afrohem tek dera gjysmë e hapur. Avull gjithandej. Shty derën lehtë dhe rrëshkas brenda. Zhurma e ujit më jep gjithmonë një ndjesi dehëse. Rrëshkas gishtat mbi pasqyrë.

Mos! Efekti i avullit mbi flokë është tashmë i paevitueshem. Pikëlat e ujit e kanë bërë punën e tyre duke më dhënë mbi flokë një efekt: Krifa e luanit më merr të keqen!

Shoh një dorë që zgjatet dhe në të qindën e sekondës më tërheq mbas vetes. Këpuca më puth butë.

-Më ke munguar Alinë.

-Dhe ti më ke munguar.

Avulli, puthjet, fjalët e thëna me zë të ulët afër buzëve për të mos u shkëputur për asnjë moment nga njëri tjetri, çuan në nëpërkëmbjen e fundit tim pana, grisjen e të mbathurave dhe një telefonatë hidraulikut 15 minuta më vonë për të rivendosur lavamanin, i cili doli nga vendi me gjithë raftin e vogël për tualetet.

Me flokë të shpupurisur, rimel të llangosur dhe veshje të shkatërruar e të njollosur me NUKEDIÇFARË, përfundova e ulur në kolltuk sikur sapo kisha bërë 5 kilometra vrap. Këpuca vinte vërdallë me peshqir në bel.

-Je shumë seksi, më pëlqen me flokë të shpupurisur, e di?

Mundohet të më pastrojë rimelin me gishtin e madh të dorës, m’i prek buzët lehtë me pëllëmbë, pastaj rrëshket gishtin mbi buzën e poshtme. Mbaj dhëmbët e shtrënguara për të mos hapur gojën dhe përfshirë gjysmat e gishtave mashkullore brenda. Kompleksi, është personi i dyzuar që rri brenda meje gjatë gjithë kohës!

“Jemi vonë!” Futem në banjë, në vendin e pasionit, dhe përpiqem të thaj rrobat me tharëse me aq sa është e mundur. Flokëve, nuk ka gjë që i bën derman!

-Alinë, gati zemër?

Këpuca është bërë gati me një çantë kartoni në dorë.

-Mos më thuaj që është përvjetor apo ditëlindje?! Ti më the që do të jetë darkë e thjeshtë!

-Janë për ty! Të tregova që do të të blija një dhuratë. Kjo është, merre!

Më la në dorë çantën e kartonit dhe po më shikonte se si nxorra kutinë… si e hapa, si vura duart mbi fytyrë nga gëzimi. Një palë këpucë! Dhe jo këpucë dosido, por Gianvito Rossi.

I fluturova nga këmba ato që kisha veshur, nuk m’u durua. Këpucët e reja shkëlqenin! Si mund të bëja indiferenten?! Perfekt, ishin numri im perfekt. E putha fort për ta falenderuar dhe të shtrënguar pas njëri-tjetrit u nisëm për tek darka e famshme me maska!

Artikuj të ngjashëm

. .