“L’amour seul”, vjen më në fund në shqip për lexuesin shqiptar. “E vetmja dashuri”, shqipëruar nga Afrim Koçi sjell një rrëfim të thjeshtë e të veçantë për dashurinë dhe paragjykimin, nga Laurence Plazenet, një prej shkrimtareve më të njohura bashkëkohore franceze.
Një roman jashtëzakonisht romantik dhe trazues, i cili mbart personazhe të një pafajësie verbuese dhe një gjuhë të dëlirë dhe fisnike.
Zonjusha d’Albreht humbet nënën në moshë fare të re dhe i ati e rrit në një mjedis të rreptë, pa shfaqur kurrë haptas ngrohtësinë ndaj saj, ndërkohë që fshehtas e llaston me dhurata. Ajo është vetëm 15 vjeçe kur njihet me zotin Ramon, mësuesin e saj privat, një burrë i mistershëm që i zgjon vajzës drithërimat e para shpirtërore dhe fizike. Ajo bie dëshpërimisht në dashuri me të dhe ëndërron një përjetësi që nuk i përket kësaj bote. Ai është burrë i pjekur, serioz dhe i lirë, ndërsa ajo është pothuajse fëmijë, e re dhe pa përvojë. Të ndarë, por ngaherë bashkë shpirtërisht, zonjusha d’Albreht dhe zoti Ramon do të përndjekin njëri-tjetrin përgjithmonë: nëpër libra, ëndrra, vetmi, heshtje dhe vdekje. Gjithë historia e tyre, që nga flaka e parë e dashurisë e deri në shuarje, kthehet në emblemë të paragjykimeve shoqërore, frikës dhe ndrydhjes shpirtërore e fizike që shkaktojnë ato. Heroina jonë është ndëshkuesja më e lartë e vetvetes, ajo mendon se nuk ka kurrfarë merite, duke na kujtuar edhe njëherë se ç’pasoja mund të sjellë vështrimi ynë gjykues dhe kritikues ndaj dashurisë jokonvencionale të një gruaje.
Kritika e “Euronews” e vlerëson romanin “Dashuria e vetme” me këto fjalë:
“I vendosur diku midis sensualitetit dhe braktisjes, romani paraqet një lidhje dashurie moderne dhe pasionale, në një kontekst historik. Kjo lloj përzierje i jep romani “E vetmja dashuri”, një sharm çuditës, shumë elegancë dhe një kuptim tragjik absolut.”
Laurence Plazenet, 1986, ka një doktoraturë në letërsi dhe për mbi 10 vjet ka ndjekur karrierën akademike, para se të shkruante romanin e saj të parë, “E vetmja dashuri”. Më pas ajo ka shkruar edhe dy libra të tjerë, “La Blessure et la soif”, dhe “Disproportion de l’homme”. Ajo vazhdon të jetë pedagoge e lëndës së Letërsisë Franceze në Universitetin Paris-Sorbonne. Për romanin “E vetmja dashuri”, ajo është vlerësuar me çmimin Charles Oulmont nga Fondacioni Francez dhe me Çmimin Europian për Letërsinë.