Nëse do të mendoni se çfarë do të veshë vallë Meryl Streep në ndarjen e çmimeve Oscar, markën Chanel mund ta hiqni nga lista. Kjo për shkak të një përplasjeje që ajo dhe stilisti i Chanel, Karl Lagerfeld, kanë pasur së fundmi. Në një intervistë për “Women Wear Daily”, Lagerfeld rrëfeu se Steep ishte mrekulluar me një fustan gri mëndafshi nga shtëpia e famshme e modës, e kishte porositur e madje kishte kërkuar edhe një personalizim, një dekolte më të mbyllur.
Stilisti u shpreh se menjëherë ai kishte bërë skicën dhe puna kishte nisur për krijimin e fustanit. Por, siç rrëfen stilisti, vetëm pak ditë më vonë, një person nga ekipi i Streep ka telefonuar atelienë franceze dhe i ka komunikuar që ata mund ta ndalonin punën me fustanin, pasi kishin gjetur një tjetër stilist që është i gatshëm ta paguajë aktoren për ta veshur në ceremoninë prestigjioze. Siç shpjegoi Karl Lagerfeld, Chanel ka një politikë të mirëpërcaktuar që nuk paguan askënd për të veshur krijimet.
“Pasi ne i falim asaj një fustan prej 100 mijë eurosh, mësojmë më vonë se duhet edhe ta paguajmë që ta veshë. Ne u japim fustane, ne u bëjmë fustane, por ne nuk paguajmë!”- u shpreh stilisti legjendar duke e cilësuar Meryl Streep një aktore gjeniale, së cilës nuk i shkon për shtat të qenurit “e lirë”. Sakaq, një përfaqësues i aktores reagoi duke thënë se është kundër etikës së saj personale që të paguhet për të veshur një fustan.
Burimi: Glamour