Të githëve na ndodh të çuditemi kur rreth nesh kemi njerëz të cilët janë kaq tërheqës që në takimin e parë. Dhe kjo nuk lidhet aspak me pamjen e tyre të jashtme, por me atë sjelljen tipike që të tillë persona zotërojnë, duke magjepsur këdo rreth vetes. Edhe pse kjo lloj sjellje vjen natyrshëm, ekzistojnë disa rregulla që nësë i zbatojmë, me siguri do të ndikojnë tek perceptimi i të tjerëve për tipin tonë.
1- Imazhi individual
Ajo çka i duhet të gjithëve është një pamje unike. Kjo nuk lidhet me fizikun apo bukurinë e jashtme, por me atë tipar që ju dallon nga të tjerët, dhe i bën ata t’ju kujtojnë pikërisht për këtë tipar të veçantë. Mënyra se si ju komunikoni, mimika juaj, apo dhe stili i juaj i veshjes mund t’ju bëjnë të kujtoheni nga të tjerët. Madje, shumë figura të rëndësishme të artit mbahen mend pikërisht për këto tipare. Mustaqet e Charlie Chaplin, intonacioni i Adolf Hitlerit apo modeli i flokëve të Marilyn Monroe janë karakteristikat tipike me të cilat i lidhim këto figura.
2- Duhet të ëndërrosh
Ambiciet, objektivat dhe ëndrrat janë ato që i japin kuptim ekzistencës sonë. Dëshira për të ndryshuar dhe për të bërë diçka të mirë në botë do t’i japë dritë personazhit tuaj. Të mos kesh një ëndërr është njësoj si të lexosh një libër pa histori. Nuk do ta lexonim, apo jo ?!
3 – Besoni tek vetja
Të qenit karizmatik kërkon shumë siguri tek vetja. Guxoni të merrni vendime, t’i mbështesni ato. Mos prisni ndihmë nga të tjerët dhe përpiquni të jeni sa më të qartë kur shpjegoni idetë tuaja. Pas kësaj, të gjithë do t’ju shohin ndryshe.
4 – Harrojini ankesat
Energjia negative dhe kritikat e tepërta nuk janë tipare të një figure sharmante. Jo gjithçka shkon mirë në jetën tuaj, por nëse ju nisni një bisedë interesante dhe pozitive, kënaqësia që do t’i jepni bashkëbiseduesit tuaj, do t’ju kthehet mbrapsht.
5- Mos shpërqendroni shikimin.
Kur bisedoni me dikë, gjithmonë shiheni në sy. Shpeshherë hipnoza që vjen nga shikimi është më frytdhënëse se çdo përpjekje tjetër. Shikimi i përqendruar do të thotë se ju po e dëgjoni personin përballë dhe e kuptoni atë. Dhe më e rëndësishmja: Mos u merrni me celularin kur dikush ju flet!
6- Përdorni gjuhën e trupit
Sjellja juaj shkon paralel me besimin dhe sigurinë që ndieni në vetvete. Përpiquni të rrini drejt dhe mos u përhumbni nëpër objekte. Pra, me pak fjalë, veproni dhe ndihuni si një yll që po kalon në tapetin e kuq.
7- Mësoni si të rrëfeni një histori
Ka histori të cilat jo domosdoshmërisht janë të këndshme për t’u dëgjuar, por nëse rrëfehen nga personi i duhur, bëhen interesante, çuditërisht!. Ky është talent! Humori, origjinaliteti dhe ironia, të miksuara me gjuhën e trupit, do t’ju bëjnë tipin më të dashur të tavolinës.