Besart Kallaku do të vijojë të interpretojë në emisionin “Zelig”, nën petkun e personazhit të Skifterit. Këtë e konfirmoi “Top Channel”.
Pas interpretimit të tij të parë në spaktaklin e njohur të humorit italian, Besart Kallaku la të mendohej se do të mbetej me aq. Por mesa duket, pas dy interpretimesh, ka fituar simpatinë e publikut italian në rolin e një laçjani, por atje pa pinceta.
“Personazhi me të cilin unë kam shkuar dhe kam fituar audicionin është personazhi i Skifterit në ‘Portokalli’. Më mungojnë parukja, vetullat dhe pinceta, sepse kur shkova dhe u thashë që ky është personazhi im, më thanë ‘Hiqi këto’. U thashë ‘Po ky është laçjan’, ndërsa ata m’u përgjigjën se askush nuk i njeh laçjanët në Itali sesi janë, je shqiptar, je shumë mirë”, thotë ai.
E ndërsa pritet që të provohet edhe më tej si do të shkojë ky personazh, Kallaku tregon se ishte e sikletshme për të të dilte përpara një publiku të huaj, pas 14 vitesh në “Portokalli”.
“Mendova të provoja diçka jashtë kufijve të Shqipërisë. Ne gjithmonë jemi nisur nga ‘Zelig’. Duke parë ‘Zelig’, edhe “Portokalli” vet ka marrë formatin e tij, ndaj mendova ‘Po provoj Zeligun!’. Dy shfaqjet e para është sikur kam dalë për herë të parë në skenë, sepse është publik i ri, publik i huaj, e ti thua ‘ore si do më presin?’ Është njësoj si një shfaqje e parë, sepse janë të gjithë italianë. Nuk e kam problem gjuhën, por probem kisha ‘A do më mirëpresin? A e njohin këtë personazh? A do qeshin me të?”, tregoi ai për “Top Channel”.