Virginia Woolf ishte një gjeni. Gjeni si Moxarti, Shekspiri apo Ajnshtajni. Nëse tani mund ta quajmë një grua “gjeni” me plot gojën, është edhe meritë e saj.
Dje, ajo u përkujtua në të gjithë botën në ditëlindjen e saj të 135-të, si gruaja që bëri revolucion për lirinë e gruas. 135 vjet më vonë, seksizmi është një prej problematikave më të diskutuara të shoqërisë. Pas shpalljes president të Donald Trump, të konsideruar si “seksist”, “maskilist”, 2.2 milionë gra u bashkuan në një marshim të madh në rrugët e Uashingtonit. Sepse gjykimi i gruas si objekt seksual dhe diskriminimi gjinor ende po shkaktojnë plagë të thella, fizike, morale e shpirtërore.
Derisa erdhi Virginia Woolf, letërsia dhe arti shiheshin si fusha që u përkasin burrave. Me romanet e saj: “Orlando”, “Zonja Dallouej” apo esetë si “Një dhomë më vete”, bëri revolucion me mënyrën si u shkruan dhe idetë që përcjellin.
Woolf bën pjesë në grupin e shkrimtarëve të parë modernë që nisën një rrymë të re rrëfimi, të quajtur “përroi i mendimit”. Përpara se të ishte “Uliksi” i famshëm i James Joyce, romanet në formë mendimi të rrjedhshëm i shkruante Virginia Woolf.
Pra, Virginia Woolf nuk vlerësohet vetëm sepse ishte një ndër të paktat gra që “guxoi” të shkruante, por sepse shkruante mjeshtërisht. Nga ana tjetër, besimi i saj se gruaja duhet të jetë e lirë si çdo qenie tjetër njerëzore, e kthyen në një prej figurave më të rëndësishme për feministët. Por Virginia nuk kërkoi asnjëherë që gruaja të ishte e epërme apo e barabartë me burrin. Kishte lindur e lirë, pa kërkuar të krahasohej me gjininë tjetër.
Ne kemi shkëputur disa prej shprehjeve më goditëse të saj, ku tregon se sa e lirë mund të jetë një grua, sikur të mos ekzistonin modelet e burrit “të fortë e të zgjuar” dhe “gruas së brishtë dhe të bukur” të përcaktuara nga shoqëria.