Metropolitan > Sport

Skandali në peshëngritjen shqiptare. Sportistja: Kreu i Federatës më dhunoi në zyrën e tij

Elez Gjoza: ‘Nuk është aspak e vërtetë.’

Peshëngritësja Shqiponja Brahja tronditi së fundmi me një deklaratë të fortë për “Panorama Sport”, duke akuzuar kreun e Federatës së Peshëngritjes së e ka dhunuar në zyrën e tij.

“Është e vërtetë që ndaj meje është ushtruar dhunë fizike prej Elez Gjozës. Ka ndodhur edhe në zyrën e tij tek Njësia 2, pasi unë jam edhe banore e kësaj Njësie. Madje, më ka thirrur edhe policinë, ndonëse unë isha larguar më herët. Kjo ka ndodhur në praninë e bashkëshortit tim. Përveç kësaj, është ushtruar dhunë fizike parvjet në kampionatin europian në Tbilis të Gjeorgjisë.”-u shpreh Brahja, duke cilësuar madje se ajo ka pasur probleme edhe me pagesat si sportiste.

Sakaq, i kontaktuar nga Anabel.al, kreu i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza mohoi çdo akuzë të peshëngritëses. Gjoza, i cili është gjithashtu kryetar i Njësisë Nr.2, u shpreh se ka edhe dëshmitarë që mund të provojnë se deklarata e Shqiponja Brahjës është e rreme.

“Ajo erdhi sot për të biseduar dhe madje më tha se do të përgënjeshtronte deklaratën që ka bërë ndaj meje.”- u shpreh Gjoza duke shtuar se Brahja nuk është sportiste, por duke qenë në moshën 45-vjeçare, ajo kërkon vetëm të përfitojë.

Ai shpjegoi se vendimet në Federatë nuk merren vetëm nga presidenti dhe u shpreh se Brahja mund ta ndjekë më tej çështjen nëse arrin t’i vërtetojë akuzat e saj. Sakaq, vetë Shqiponja Brahja, e kontaktuar nga Anabel.al u shpreh se momentalisht, nuk dëshiron të flasë më tej në lidhje me këtë çështje.

Artikuj të ngjashëm

. .