Disa e njohin si ish- Miss World Albania, disa të tjerë si vajzën bukuroshe të ekranit, si blogeren simpatike dhe sipërmarrësen e re shqiptare, ndërsa disa të tjerë si partnerja e djalit të-ish kryeministrit Sali Berisha. Por Armina Mevlani është të gjitha këto. 25-vjeçarja vjen nga një familje normale shqiptare, me ekonomi mesatare: babai, Arben Mevlani prej vitesh ushtron profesionin e spikerit të lajmeve, ndërsa e ëma Mimoza Mevlani atë të koreografes.
Kur ishte adoleshente Armina fitonte para duke kërcyer në grupin e baletit të së ëmës. 16 vjeç, u bë pjesë e ekipit që përfaqësonte Shqipërinë në gjimnastradën botërore, ndërsa në moshën 19-vjeçare ka nisur punën si drejtoreshë në revistën ‘Harmony’, sepse siç ka treguar vetë, ‘vlerësonte shumë pavarësinë financiare’.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe arritjeve të Arminës në moshë fare të re, kur pjesa më e madhe e vajzave dhe djemve shqiptarë vazhdojnë të varen ekonomikisht nga prindërit, në një mënyrë a në tjetrën, një pjesë e mirë e njerëzve ia atribuojnë sukseset e saj sponsorizimit financiar nga Shkëlzeni. Sigurisht që djali i ish kryeministrit i ka dhënë ndihmën e nevojshme, jo vetëm financiare por edhe atë morale, si një person më i madh në moshë që mund të të këshillojë nisur nga përvojat e veta. Por ndryshe nga sa mund të bëjnë shumë gra të tjera të lidhura me burra të fuqishëm, Armina nuk e kalon ditën kafeneve të Bllokut, apo në thashethemnaja parukieresh.
Prej më shumë se dy vitesh ish Miss-i drejton një butik në kryeqytet që ka ekskluzivitetin e disa markave të njohura, drejton blogun e saj falë të cilit udhëton shpesh në vende të ndryshme të botës, siguron ftesa në eventet e modës dhe realizon sete fotografike dhe vetëm së fundmi ka publikuar videon e saj të parë të ushtrimeve fizike për të pasme të tonifikuara, duke prezantuar për herë të parë në vendin tonë profilin e plotë të një blogere-je.
Duke qenë se gjithçka që bën, Armina e ka të dokumentuar dhe të publikuar në rrjete sociale, shpesh është akuzuar për ‘shpërdorim parash dhe luks të shfrenuar’. Akuza të tilla e kanë detyruar Arminën të sqarojë publikisht burimin e të ardhurave të saj:
“Udhëtimet e mia në javët e modës janë të sponsorizuara nga vetë hotelet në të cilat qëndroj dhe reklamimi i hoteleve ne mediat e mia sociale është pjesë e punës sime si blogere…Ashtu sikurse ndodh shpesh me veshje të cilat mi dërgojnë vetë firmat, gjithçka është pjesë e punës sime dhe më në fund pas kaq vitesh punë, po vjel frytet e asaj që vërtetë më pëlqen të bëj. Kush mund të ketë dyshime, përpara se të publikojë lajme jo të vërteta, mund të kontaktojë vetë hotelet përkatëse." – është shprehur Armina nëpërmjet një postimi në rrjete sociale në tetor të vitit të kaluar.
Ne shqiptarët kemi në shprehje: ‘Me fatin nuk hahesh dot’. Që Armina është vajzë me fat, kjo s’do mend, por të dish të menaxhosh atë që të serviret, duhen aftësi. Armina jo vetëm po punon për veten e saj, por po guxon duke sjellë në vendin tonë ide të reja dhe duke frymëzuar të gjitha vajzat e reja që janë po aq të interesuara për modën dhe bukurinë sa ajo.