“Ja cilët janë 200 priftërinjtë pedofilë të Italisë”. Kështu e nis 'La Reppublica' artikullin lidhur me librin “Shthurja” të autorit Emiliano Fittipaldi.
Bëhet fjalë për fakte, të dhëna, emra, data dhe dokumente të rasteve të abuzimeve të fëmijëve nga ana e priftërinjve. Libri synon të zbulojë atë që u realizua në Amerikë nëpërmjet investigimit të Boston Globe. Gazetarët, historia e të cilëve frymëzoi filmin “Spotlight”, arritën të publikonin një listë me 508 viktimat e priftërinjve të vendosur në shkallë të ndryshme të hierarkisë. Por, sipas mediave italiane, një denoncim i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në Vatikan, aty ku mendohet se është “vatra më e nxehtë”.
Gazetari i revistës 'Espresso' synon të nxjerrë në dritë realitetin tronditës dhe “Omertën”, e cila simbolizon heshtjen e shenjtë në të gjitha hallkat e Kishës Katolike. Sipas kësaj të fundit, anëtarët e Selisë së Shenjtë synojnë të mbulojnë me çdo kusht jo vetëm rastet e abuzimeve seksuale, por edhe të marrëdhënieve homoseksuale.
Në librin e tij, Fittipaldi thekson se Vatikani mbron me forcë anëtarët, ndërkohë që viktimat e abuzimeve vuajnë pasojat psikologjike dhe fizike të tyre. Peshkopët nuk janë të detyruar të zbulojnë dhe denoncojnë kolegët e përfshirë në skandale, duke krijuar kështu një rrjet të tërë që duket se nuk ka fund.