"Nga Kosova e shkatërruar nga lufta në "American Idol": Si Lindita Halimi humbi 50 kg gjatë udhëtimit të saj frymëzues"
Është titulli i historisë së pazakontë të Lindita Halimit, e cila e rrëfeu atë për revistën "People". Kopertinën e revistës e ndan me Oprah Winfrey dhe disa gra të tjera që tregojnë historitë e rënies në peshë, por shumë vite më parë as që e ëndërronte.
Këngëtarja tregon për "People" se vitet e luftës në Kosovë ishin të tmerrshme për të dhe familjen, sepse nuk kishin për të ngrënë. Shtimi i konsiderueshëm në peshë erdhi pas luftës, kur Linda thotë se hante si për të zëvendësuar atë që nuk kishte ngrënë dot.
"Shtova peshë në moshën 17-20", tregon ajo, "Ato tre vite të jetës ishin të mjerueshme. Sinqerisht, ndihesha mirë me peshën time, por m'u kthye në probleme shëndetësore. Mezi merrja frymë, ftohesha shpejt, gripëra, pneumoni. Përveç kësaj, më tallnin. Sa hyja në klasë të tjerët thonin: "Oh shiko, erdhi elefanti."
Tani ajo mund të jetë lirisht krenare për fizikun e tonifikuar, por iu desh të mbante një dietë shumë të shëndetshme për ta arritur. Linda tregon se dy ushqimet që konsumon më tepër janë salmoni dhe vezët.
Pasi një grua i liroi vendin në autobuz sepse mendoi se ishte shtatzënë, Linda vendosi ta kthente dobësimin në qëllim. Hyri në internet dhe filloi të kërkonte për receta të shëndetshme.
"Kërkoja për receta me vezë dhe salmon. Veza dhe salmoni janë dy ushqimet e mia kryesore.", thotë Linda.
Ushqime shumë të shëndetshme, shumë proteina dhe më pak karbohidrate si edhe nje regjim shumë i rregullt në palestër, e bënë Lindën të ndryshojë krejtësisht stilin e jetesës dhe të arrijë diçka që pak mundën t'ia dalin, ndonëse është e qartë se duhet vetëm vendosmëri.