Metropolitan > Anabel Dossier

Anabel.al, portali që ka thithur më shumë reklamues në 2016-ën!

Të dhënat zyrtare rendisin Anabel.al të parën!

Nga të dhënat e kompanisë Idra Media që bën monitorimin profesional të mediave shqiptare, portali ynë, anabel.al renditet i pari për nga numri i reklamuesve për vitin 2016. 

Ornela Liperi, kryeredaktorja e revistës ekonomike monitor.al, nëpërmjet të dhenave zyrtare të fitimeve vjetore të mediave elektronike, shtypit të shkruar dhe portaleve online, arrin në rezultatin, se këto të fundit kanë patur një rritje të interesit nga reklamues në raport me vitet e kaluara dhe në raport me televizionet, të cilat kanë pësuar një rënie të fitimeve. Nga ana tjetër, siç shkruhet edhe në titull të shkrimit  "Përpëlitjet e tregut të reklamave, bien fitimet e televizioneve, gazetat në krizë, lulëzon web", shtypi i shkruar ka pësuar tronditje, pasi vëmendja e reklamuesve po ndahet gjithnjë e më shumë mes portaleve dhe ekranit. 

Për monitor.al, administratorja e Anabel.al, Dalina Buzi sqaron se vendimi për të kaluar Anabelin nga shtypi në web në vitin 2012, ishte vendimi më i mirë "Me revistat e shtypura tregu ishte i padrejtë, pasi cilido deklaronte tirazhin që i interesonte, ndërsa me klikimet, matja është me e saktë." 

Edhe pse Anabel.al rezulton e para për nga numri i kompanive që reklamojnë, kjo nuk përkthehet detyrimisht në median me fitimet më të mëdha. Sipas monitor.al, Balkanweb.al, portali i parë informativ shqiptar, i themeluar në fillim të viteve 2000, vazhdon të kryesojë për nga fitimet, sepse çmimet e reklamave atje janë më të larta se në çdo portal tjetër. 

Por pavarësisht se tashmë pjesa më e madhe e shqiptarëve (fuqisë blerëse) kalon një kohë të gjatë online dhe shumë prej publiciteve arrijne edhe mbi 100,000 shikime (një shifër kjo lehtësisht e barazueshme me shikueshmërinë e publiciteteve edhe në kanale televizive kryesore), kanë efekt të drejpërdrejtë dhe matje më transparente të shikueshmërisë, shumë kompani ende e kanë të vështirë të mirëkuptojnë çmimet e publiciteteve online. 

Një tjetër problem aktual i portaleve, siç sqaron Buzi për monitor.al është edhe pengesa ligjore, që nuk i njeh portalet si media, pavarësisht se në thelb ato informojnë e argëtojnë si revistat, shtypi i shkruar apo televizioni. Rrjedhimisht, portalet janë automatikisht të përjashtuara nga heqja e TVSH-së, siç ndodh me mediat e tjera.

Anabel.al është një ndër portalet që paguan rregullisht detyrimet ligjore ndaj shtetit si çdo kompani tjetër (jo mediatike), por shpesh është vënë përballë abuzimeve si nga tatimet, ashtu edhe nga aktorë të tjerë të tregut, që përfitojnë nga heqja e TVSH-së nëpërmjet mediave të tyre elektronike ose shtypit të shkruar që kanë në pronësi.

Anabel.al u ka kushtuar vëmendje jo vetëm reklamave të tipit "banner" të dukshme në faqe, por edhe formave të tjera kreative, të përdorura rëndom në mediat e huaja. "Jemi të parët që kemi filluar me mesazhe promocionale. Janë materiale editoriale, tashmë të dallueshme për lexuesin, që janë me pagesë." thotë Buzi për monitor.al. 

Klientët e Anabel.al janë të gjitha kompanitë më të mëdha dhe më serioze në vend, duke përfshirë kompanitë celulare, bankat, agjensitë e udhëtimit, spitalet, universitetet e deri tek kompanitë farmaceutike, kozmetike dhe markat e njohura të veshjeve dhe aksesorëve që kanë si target kryesor lexuesen femër të Anabel.

Në 2017-ën, Anabel.al premton ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, për të krijuar një portal të standarteve botërore në informacion, kreativitet, etikë dhe interaktivitet. 

Artikullin e plotë të monitor.al mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

http://www.monitor.al/perpelitjet-e-tregut-te-reklamave-bien-fitimet-e-televizioneve-gazetat-ne-krize-lulezon-web/ 

Artikuj të ngjashëm

. .