Artisti shqiptar Sislej Xhafa është një prej 5 artistëve që do të ekspozojnë veprat e tyre të artit në Pallatin e Drejtësisë në Firence.
Xhafa dhe artistët e tjerë u shpallën fitues të konkursit ndërkombëtar për veprat e artit bashkëkohor, që u ndërmor enkas për përzgjedhjen e veprave artistike që do të zbukurojnë Pallatin e Drejtësisë.
Konkursi prestigjioz i organizuar nga Bashkia kishte si temë pikërisht të drejtat njerëzore dhe civile.
Nga 228 kërkesa, në garë u pranuan 199 projekte, mes të cilave skulptura “J” e artistit nga Peja, e cila është 14 metra e lartë dhe siç shpjegoi ai, përfaqëson mbështetjen për më të moshuarit dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Xhafa gjithashtu u vlerësua edhe me një çmim prej 136 mijë eurosh dhe pritet që projekti i tij të ekspozohet në Pallatin e Drejtësisë në fund të vititi 2017.
Sislej Xhafa është një emër i njohur në fushën e artit bashkëkohor. Veprat e tij janë ekspozuar dhe vlerësuar në mbarë botën, nga Europa, në SHBA e Azi dhe media të rëndësishme ndërkombëtare kanë shkruar për krijimet e tij. Së fundmi, artisti shqiptar me bazë në New York është vlerësuar nga Akademia e Arteve të Bukura në Firence me titullin “Academic Honoré”.