Metropolitan > Anabel Dossier

Shqiptarët që ia vlejnë t’i shohim më shpesh online në 2017-ën!

2016-ta ishte viti i tyre në portale dhe rrjete sociale, por ne duam edhe më shumë!

Nga Dalina Buzi ~

Djemtë e “Çmendina Dublim”

VK (Vështrim kritik) është emisioni më i ri nga djemtë misteriozë të “Çmendina Dublim”. Një program që mbështetet tërësisht mbi gjykime sarkastike ndaj realitetit të showbiz-it shqiptar të politikës apo argëtimit), “VK” ka treguar se gjithë këto vite të shpenzuara në dublime të suksesshme filmash të “Çmendin-ës”, nuk u shpenzuan për të shtyrë kohën e lirë, por ishin hap drejt prodhimeve më të mëdha dhe më të konsoliduara. Edhe pse transmetohet livestream në Facebook-un e “Çmendina Dublim” dhe në TemaTV, ky program konkurron fare mirë programet e humorit të televizioneve, madje fakti që mbi kokë “VK” nuk ka asnjë censurë dhe asnjë konflikt interesi, i bën më të lirë e më të hapur këta djem, për të goditur me humor çdo fenomen apo personalitet televiziv, që në raste të tjera “do të ruhej”. 

Dublimet e famshme të filmave shqiptarë, monitorimet e pashoqe edhe të stacioneve më të humbura lokale, batutat e dy komentuesve misteriozë mbi ato çfarë thonë seriozisht të famshëm të ftuar në emisione televizive dhe ndërprerja e herëpashershme nga personazhe tipike shqiptare si producenti pa asnjë lekë, çuni i babit me lekë, çuni i lagjes pa punë që kërkon rrugën e shkurtër, apo telenovelat në stilet e telenovelave indiane e turke, e bëjnë këtë emision shumë aktual dhe modern.

Kelvi Kadilli

Kelvi Kadilli mund të quhet pa asnjë mëdyshje moderatori i së ardhmes në ekranin shqiptar. I mjaftoi vetëm ky vit, që ai të bënte më shumë zhurmë në emisionin e tij GossipTV në InTV, sa ç’kanë bërë të gjithë moshatarët ose të tjerë pak më të mëdhenj në 5 vitet e fundit. Kelvi ka hyrë në momentin e duhur në tregun mediatik. Moderatorët meshkuj më të famshëm tashmë po kalojnë të 50-tat dhe bashkë me ta, edhe audienca besnike.

Më të rinjtë, ose kanë ngecur në skemat e prezantimeve pompoze, me fjali të stërgjatura pa asnjë domethënie, që gjithmonë i “startojnë” kështu dhe më pas “pozicionohen” aty dhe “e konkludojnë PRA” në këtë mënyrë, ose kanë rënë në një letargji e përsëritje. Nga ana tjetër, Kelvi “is a breath of fresh air”, siç thonë amerikanët, sepse u vetë-krijua përpara se ta zbulonte INTv, nëpërmjet blogut të tij online. Ai ka një stil tepër individual në komunikim me intervistuesin, sepse në intervistat e tij, është aq i sjellshëm sa edhe i drejpërdrejtë, pa qëlluar kurrë arrogant, pa rrudhur vetullat dhe pa u sforcuar të “superojë” intervistuesin me çdo kusht. Për më tepër, ai u nxjerr të ftuarve nga goja rrëfime të hatashme intime, të cilat furnizojnë për ditë me radhë portalet. Shtojmë këtu që Kelvi është edhe shumë tërheqës. Një Big Up sidomos për dhëmbët!

Dea Mishel Hoxha

Dea Mishel Hoxha është tashmë pjesë e stafit të Anabel, por përpara se të ishte tek ne, ajo tërhoqi vëmendje në Instagramin e saj, ku prezantonte teknika të thjeshta grimi që mund të kopjohen nga të gjithë. Ka shumë artistë grimi vërdallë, por ajo çfarë na pëlqen tek Dea Mishel, është fakti se ajo nuk sugjeron as një trukim shumë profesional që kërkon të paktën 5 furça për aplikim dhe nuk këmbëngul vetëm tek produkte të shtrenjta që nisin nga 20 euro për një laps sysh. 


Dea Mishel është gjithmonë e përditësuar me të rejat më të fundit nga grimi, por edhe me kërkesat e vajzave shqiptare dhe mundësitë e tyre financiare. Ajo sapo ka nisur në Anabel.al dhe në 2017-ën, ju premtojmë që do të shihni tutoriale fantastike nga bukuroshja, studente e arkitekturës.

Rudina Dembacaj

Rudina Dembacaj është një emër shumë i njohur në komedi, sepse edhe në spektaklet ku ajo ka qënë pjesë (“Portokalli” dhe “Al Pazar”), interpretimet e saj kanë lënë gjurmë. Imituesja perfekte e ish-kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, është tërhequr pak këto kohë nga ekrani, për t’u përkushtuar mëmësisë.

Ajo sapo është bërë nënë e një vajze, Victorias; por edhe nga shtrati i spitalit, Rudina nuk e lë pas humorin. Instagrami i saj s’ka nevojë për skenaristë, sepse ajo vetë ka një auto-ironi fantastike dhe gjen humorin kudo, deri edhe tek një mesazh i gabuar i të shoqit që e lajmëroi me sms për lindjen e vajzës. Rudina thjesht ia ktheu: “ Aty isha zemër” 

Anisa Kushta

Pasi shfletuat 100 lloje femrash në instagram vitin e kaluar (femra me b..the të bukura, femra pa b*thë, por me gjoks të bukur, femra me konture të jashtëzakonshëm, me fustane të papara, me udhëtime magjike në të gjithë botën dhe të superdashuruara) është viti për një reality check. Sepse ka edhe vajza shumë interesante, me flokë të shkurtra, me syze, pa grim, me pantallona pa marka si citylight-et në autostradë, që kanë një humor shumë origjinal dhe të vënë në mendime gjatë për një batutë që s’kap as 140 gërmat e Twitter-it. Një prej këtyre vajzave është edhe Anisa Kushta, të cilën e zbuluam në Facebook në faqen e saj Anisa S.Kushta, edhe pse ajo ka nisur të komunikojë fillimisht nëpërmjet blogut anisakushta.blogspot.com.

Ajo çfarë na pëlqen tek Anisa, përveç humorit të saj, është fakti që ajo shpotit fenomene dhe personalitete pa ofenduar askënd, ka një auto-ironi fantastike dhe për më tepër, ajo gjithçka çfarë thotë, e thotë me profilin e saj të vërtetë. Nuk kërkon popullaritet në anonimat dhe nuk “rrjedh” duke ngatërruar pushtetin e vërtetë që fitohet me punë në jetën reale me pushtetin virtual.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm