Metropolitan > Anabel Dossier

U bë vonë për b*thët e Ledinës!

Të zhveshësh një grua e të kërkosh të fitosh pikë me zhveshjen e saj, na kthen mbrapsh në mendësinë më prapanike.

Nga Anabel.al ~

Ajo çfarë na trishtoi mbrëmë në natën e parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizion, nuk ishte fakti se Ledina Çelo kishte veshur një fustan tejet transparent. Ajo nuk është as e para dhe as e fundit artiste që guxon të nxjerrë në pah vithet e saj. Edhe pse nuk ka guxuar ndonjëherë kaq shumë, duhet ta pranojmë që ajo e promovon me krenari në instagram trupin e saj të jashtëzakonshëm, që vazhdon të jetë po njësoj edhe pas sjelljes në jetë të dy fëmijëve.

Por zhveshja dje, pavarësisht se ç’deklaronin mbrojtësit e saj, ishte një akt i dëshpëruar tmerrësisht seksist, për të mbuluar një ngërç të Ledinës në prezantim, ose ndoshta më shumë se kaq, edhe ngërçe të tjera që mund të kishte një festival, që nga viti në vit po humb interesin tek njerëzit, aq sa salla ishte gjysmë bosh.

Të zhveshësh një grua e të kërkosh të fitosh pikë me zhveshjen e saj, sepse nuk beson se ajo mund të bëj diçka tjetër mirë, na kthen sërish mbrapsh në mendësinë më prapanike maksiliste, që e konsideron gruan një kukull porcelani vetëm për t ‘u parë dhe për t’u penetruar, por jo për intelektin e saj.

Absolutisht nuk po aludojmë që Ledina nuk është një vajzë e mençur, por fatkeqësisht, të paktën me sa pamë natën e parë, ajo pranoi një pozicion që nuk i bënte nder asaj në radhë të parë. Ledina ka treguar që ka një vokal të jashtëzakonshëm dhe këndon live (duke e vërtetuar edhe në pjesëmarrjen e saj në Eurovizion), ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare me hite, që nga dueti me Luan Zhegun, tek balada si: “Të ndjej të huaj” apo “Gaboja”; ka treguar të paktën sipas normave klasike të shoqërisë, që është edhe një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar dhe një grua që ka respekt për veten dhe pamjen e saj. Por në prezantim, ajo nuk ka shkëlqyer asnjëherë dhe ndoshta as ajo vetë nuk duhet t’ia lejonte vetes, që në moshën 39-vjeçare, në një kohë kur të gjitha ekranet e radiot gëlojnë nga vajza të talentuara e tmerrësisht të artikuluara, të rikthehej si prezantuese me të gjitha “më të këqijat” e një prezantimi amator siç është ngurtësia, mungesa e ritmit, mos-përshtatja e gjuhës së saj me skenarin etj. Dhe akoma më shumë, ajo nuk duhet t’ia lejonte vetes që të nesërmen mediat të merreshin vetëm me b*thët e saj.

Dikush në mbrojtje e sipër, argumentoi se edhe Belen në Sanremo ka bërë të njëjtën gjë; ka veshur një fustan që për pak sa nuk zbuloi zonën pubike, por harroi të shtonte se Belen “e mbante” atë fustan, me gjithë lirshmërinë, humorin, batutat, të kaluarën e saj si showgirl, me transparencën në historitë e saj tepër publike të dashurisë. Belen kishte zgjedhur fustanin si qershia mbi tortë, ku torta ishte ajo vetë me gjithë energjinë e lirshmërinë që Ledinës i mungonte. Edhe me xhinse, Belen do të ishte po njësoj, e këndshme për t’u dëgjuar dhe “e paturp” në komunikim. Edhe me xhinse, Ledina do të ishte po njësoj, e ngurtë dhe e papërshtatshme për atë skenë. Vetëm se për të s’do të kishte aq shumë lajme, sa ç’pati kur shfaqi b*thët. Që në 2016-ën, pas 100,000 b*thëve të tjera nëpër ekrane e instagram, nuk përbën asnjë risi. E kundërta, tregon dëshpërim. Shumë vonë për b*thë të zhveshura, shumë vonë. Dhe tmerrësisht vonë, për prezantuese kukulla.

Artikuj të ngjashëm