Ka përfunduar edicioni i 18-të i festivalit “Kënga Magjike”, në një ceremoni plot surpriza zhvilluar në Pallatin e Kongreseve.
Elia Zaharia Zogu dhe Ardit Gjebrea
47 grupe, dyshe dhe artistë, të rinj dhe profesionistë, u bënë pjesë e netëve gjysmëfinale, por vetëm 21 prej tyre arritën të vlerësohen natën e fundit të spektaklit në 21 kategori. Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit ishin artistët ata që votonin njëri-tjetrin.
Nga votat e tyre u zgjodh si kënga më e mirë e edicionit balada e Rozana Radit me titull “Ma thuaj ti”. Kënga me muzikë të Elgit Dodës dhe tekst të Rozanës u vlerësua masivisht nga kolegët dhe publiku, për mesazhin e fortë që përcillte, dhunën ndaj grave, duke siguruar dhe ‘Çmimin e Internetit’ për klikimet dhe shpërndarjet në masë fill pas publikimit në muajin tetor.
Mes lotësh, Rozana Radi mori kupën që ia dorëzoi presidenti i TV Klan, Aleksandër Frangaj, dhe ia kushtoi këtë çmim prindërve të saj që nuk jetojnë më.
Përpos çmimeve të përvitshme këtë vit u shtuan edhe tre kategori të reja. “Vokali më i Mirë Mashkull” u dha për herë të parë për këngëtarin Valon Shehu, ndërsa “Vokali më i mirë Femër” shkoi për Flaka Krelanin. Gjithashtu këtë vit u shtua çmimi “Best Euro Trend” (“Trendi më i mirë Europian”), i cili shkoi për këngën “E vetmja jam” të Mariza Ikonomit.
Nën prezantimin e Ardit Gjebreas dhe Elia Zaharia Zogut, spektakli kishte rezervuar surpriza jo vetëm për artistët, por edhe për publikun. Gjatë tre netëve, Elia shfaqi një tjetër anë të sajën përpara publikut, jo më nën petkun e Princeshës apo të aktores, ajo shpalosi aftësi mbreslënëse në prezantim, këndim dhe kërcim.
Në përfundim të ndarjes së çmimeve ajo doli përsëri nga vetja për t’u rikthyer si interpretuese, këtë herë si këngëtare dhe kërcimtare, nën koreografinë e Gerd Vasos.
Ajo mori rolin e Sophie-së në musical-in e famshëm “Mamma mia”, duke interpretuar tre prej këngëve më të njohura për publikun: “I have a dream” “Does your mother know” dhe “Mamma mia”.
Në vend të dytë nga votimi i këngëtarëve u rendit Arilena me baladën “Nëntori”, një këngë pop me motive ballkanike e krijuar nga Darko Dimitrov.
Juria e “Këngës Magjike” pushtoi skenën për një performancë ndryshe, me një mesazh të fuqishëm. Uliks Krajka luante në piano, DJ Sardi miksonte beat-et, Juliana Pasha dhe Venera Lumani këndonin “Moj e bukura More”, një himn për mallin e dashurinë për vendlindjen, ndërsa Olti Curri dha një mesazh shumë të rëndësishëm nëpërmjet një shkrimi në laptop-in e tij.