Metropolitan > Anabel Dossier

Dikush me zë, dikush me heshtje, ne të gjithë jemi autorë të vrasjeve të këtyre ditëve

Liljana, fëmijët në Korçë, Marsela në Vlorë janë viktima të heshtjes tonë.

Nga Ergisa Bejkollari ~

Nga Ergisa Bejkollari

“Nuk e dimë nëse është mirë t’i dëgjojmë, apo mos t’i dëgjojmë se dhuna aty është, aty ka qenë gjithmonë”. Kështu e ka nisur fjalën e tij ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i ftuar mbrëmë në emisionin 'Opinion' për të folur rreth vrasjeve makabre të ditëve të fundit në familje.

Dhuna vërtet është aty, gjithashtu është e vërtetë që vetëm vitet e fundit ka nisur të dalë në sipërfaqe, por në një vend ku urdhri i mbrojtjes është vetëm një copë letër që nuk siguron asgjë, lajme të tilla janë sa tronditëse, aq edhe të nevojshme.

Vërtet vrasja e Liljana Rukos dhe e dy fëmijëve në Korçë është e vështirë për t’u përtypur dhe ndërpret në mes një ditë normale tonën, por duhet menduar dhe sa familje të tjera në të gjithë Shqipërinë mund të jenë duke u përballur me të njëjtën situatë këto kohë. Në njërën anë, burra që jetojnë nën presionin dhe gjendjen e rënduar psikologjike, e ardhur si pasojë e situatës së vështirë ekonomike. Në tjetrën, gra e fëmijë të rrezikuar jo vetëm nga varfëria e tejskajshme, por edhe nga frika e dhunës apo vdekjes.

Nëse për ne vrasja e Liljanës dhe dy fëmijëve është një lajm i kobshëm, po për ata çfarë është? A është një mundësi që të kërkojnë të mos kenë të njëjtin fat? Mos ndoshta është një mundësi që ne të gjithë të kërkojmë t’i japim fund këtij fenomeni që përngjason me një film, të cilin refuzojmë ta besojmë…sepse ministri Klosi vazhdon duke thënë se janë rritur rastet e denoncimeve. Por, ne të gjithë e dimë tashmë që edhe Liljana e kishte denoncuar bashkëshortin e saj, madje ajo kishte marrë dhe urdhër mbrojtjeje. E megjithatë, asnjë prej tyre nuk mjaftoi.

Vetëm për këtë vit, sipas ministrit, 1900 gra kanë marrë urdhër mbrojtjeje. Ndërkohë që statistikat e vitit 2014 tregojnë që nga 700 urdhra mbrojtjeje të kërkuar, 469 prej tyre janë tërhequr. Pra nëse shifrat tregojnë që vërtet denoncimet janë rritur, e përditshmja na tregon që ato s’kanë shërbyer për asgjë. Në qershor, Marsela, me tre urdhra mbrojtjeje, u dhunua në qendër të qytetit të Vlorës, ndërkohë që Liljanës ia morën jetën në mënyrën më makabre, edhe pas urdhrit të mbrojtjes.

Ky duket se është një cikël i vazhdueshëm, që nis e mbyllet nga një zjarr i përbashkët: Varfëria! Varfëria që rëndon psikologjikisht, varfëria që e detyroi Liljanën të jetonte sërish me bashkëshortin, varfëria që e largoi nënën e dy fëmijëve drejt Greqisë, por ka një varfëri akoma dhe më të madhe: Është varfëria e shpirtit tonë që dëgjojmë e lejojmë që njerëzit të kthehen në statistika. Varfëria e reagimit që mungon, e revoltës që duket se nuk ndizet as edhe nga jeta e dy fëmijëve të vrarë. Varfëria që nga një anë vret jetë njerëzish, ndërsa nga ana tjetër, vret zërat për ndryshim.

Artikuj të ngjashëm