Metropolitan > Anabel Dossier

Castro, jo ekzaktësisht fans i shqiptarëve

Kundërshtoi pavarësinë e Kosovës dhe u tall me vizitën e George Bush-it në Shqipëri.

Fidel Castro, lideri legjendar kuban, i cili u nda nga jeta gjatë së premtes, ka treguar vazhdimisht interes për situatën politike në gadishullin ballkanik. Ai madje ka refuzuar pavarësinë e Kosovës nga Serbia dhe ka dënuar ndërhyrjen e forcave amerikane gjatë luftës. Në një artikull të vitit 1999 në gazetën e partisë komuniste "Granma", Castro shprehet se ndërhyrja ushtarake ishte thjesht një tjetër shembull i “imperializmit amerikan”. Ai e quajti sulmin “luftën më burracake të historisë” dhe “një betejë kolosale kundër sovranitetit” të Serbisë.

Në vitin 2007, ai madje u tall me vizitën e ish-presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri, duke publikuar një editorial me titull “Tirani viziton Tiranën”.

“Ai bëri një deklaratë në favor të pavarësisë së Kosovës, pa respektuar interesat e Serbisë, Rusisë dhe disa vendeve të tjera europiane. Ai i bëri leksion Serbisë se do t’i ofronte ndihmë ekonomike, nëse do të mbështeste pavarësinë e Kosovës, kultura e së cilës ka dalë nga ai vend.”-shprehej Castro, i cili në vitin 2015, mori një dekoratë nga presidenti serb Nikoliç.

Mirëpo, një tjetër udhëheqës komunist, Enver Hoxha, nuk duket se ka pasur simpati për Fidel Castro-n. Në një transkript-të siguruar nga Instituti Wilson-të një takimi me ambasadorin e Republikës Demokratike Popullor të Koresë, An Yong në vitin 1968, Hoxha e quan udhëheqësin kuban një “aventurier”.

“Fidel Castro le të bërtasë me sa ka në kokë. Ai nuk është marksist, ai është një aventurier, jo vetëm për faktin që ka folur kundër Kinës, por edhe për faktin që është anarkist dhe kjo shihet në çdo veprim që ai ndërmerr në ekonomi.”- shprehet Hoxha.

Artikuj të ngjashëm