Metropolitan > Fletore Kinemaje

Një javë nga premiera, ende radhë për të parë '7 ditë' nga Jonida Vokshi

Një analizë kinematografike nga Reald Keta.

Nga Reald Keta ~

Pas më shumë se një jave nga premiera e datës 11 nëntor, filmi shqiptar “7 ditë” vazhdon të ketë radhë shikuesish në kinema. Film rom-com ky, me regji të Erion Bubullimës, skenar të Genci Përmetit dhe me cast të përbërë nga roli protagonist i Jonida Vokshit dhe në role të tjera dytësore Denard Xhillari, Niada Saliasi dhe Visjan Ukcenaj. Në thelb të sinopsit është personazhi i Lanës (Jonida Vokshi), e cila braktiset nga partneri në krizë e sipër paniku, një javë para se të njihej me prindërit e saj. Takim që do të shërbente edhe për t’i bërë të ditur prindërve lajmin e martesës midis tyre. Deri diku të kujton farësoj edhe “The Wedding Date” (2005, Clare Kilner).

Formalisht apo teknisht e thënë, filmi është një spot promocional i stër-stër gjatë. Çdo element formal si ndriçimi, fotografia, planet, por edhe çdo inskenim apo batutë-kundër batutë, kanë trajtimin e një klipi komercial. Në tempo-ritëm, kryesisht deri në gjysmën e tij, fabula e filmit “pulson” si spot pas spoti. Vetëm plani i një skene në tërë filmin bën përjashtim nga kjo dhe nuk ia vlen të përmendet. (Kur personazhi i Lanës është duke vjellë në tualet dhe në atë vend nuk ke çfarë të reklamosh.)

Përpos një trajtimi në krijimin e dialogjeve prej sit-com apo seriali amerikanatë, batutat edhe të bëjnë për të qeshur. Ca të sforcuara prej karaktereve, ca të dala nga “xhepi” si batuta komediani, gjithsesi e qeshura nuk mungon. Një prej roleve që ia del në këtë, dhe është i natyrshëm, është ai i Buçit (Denard Xhillari). Përsa i përket natyrshmërisë së aktorëve, të bën habi që aktorja që është më e natyrshme në rolin dhe gjestikulacionin e saj është pikërisht ajo, që në të vërtetë është dhe figura më marketuese ndër aktorët. Jonida Vokshi, pa një thellim apo mirë arsyetim të karakterit, krijon një mikro Bridget Jones.

Përgjatë tërë kohës, në film shihet një sens moralizues në dialogjet e personazheve. Herë e bën duke u përtallur me batuta të shkurtra ndaj fenomeneve problematike apo stereotipeve shqiptare dhe herë me deklamime pompoze të personazheve. Si përfundim, në këtë drejtim, përsa merr përsipër filmi të kritikojë, dështon katërcipërisht. Në vend që të gërvisht ndopak gjë tek shikuesit, ia normalizon syrit të mbrapshtën ose i ushqen akoma edhe më mos vramëndjen.

Toka u mendua të rezultonte tjetërsoj pas 7 ditëve të krijimit, por që me kohën ia ka vlejtur mesa mendohet. “7 ditë” është konceptuar nuk dihet se për çfarë, por tek e fundit ia vlen të shihet për të kaluar kohën.

Artikuj të ngjashëm