Në premierën e të martës, “Marta”, një dramë e shkruar dhe e vënë në skenë nga Erand Sojli, bëri bashkë në sallën e Teatrit Kombëtar personalitete të rëndësishëm të artit, kulturës, politikës e medias.
Historia bën fjalë për një grua, që e gjendur e vetme pas humbjes së të shoqit, përballet me të shkuarën, për të cilën ishte munduar aq shumë ta mbyllte në në një cep të harruar. Ajo kthehet pas në kujtimet e saj, tek historia me Markun, dashuria e saj të humbur, ‘takon’ Martën lozonjare me të cilën ai u dashurua, ndjen edhe njëherë dhimbjen e fëmijës së palindur, sjell në mendje burgun diktatorial dhe kompromisin që i ndryshoi jetën. Për t’u liruar nga hekurat, ajo u detyrua të martohej me dikë që nuk e donte.
“Truri dhe zemra afër janë, por duan një jetë të bashkohen.”-pohon Marta, e cila i kaloi e palumtur 40 vitet e fundit të jetës së saj. Humbi veten dhe kohën, e cila nuk kthehet më mbrapsht. Martesa vërtet e nxori nga kangjellat e burgut, por e futi në një tjetër birucë, ku jetoi mes mureve të dëshpërimit, nënshtrimit dhe normave të imponuara nga shoqëria.
Rolet iu besuan aktorëve: Yllka Mujo, Kastriot Shehi dhe Eglantina Cenomeri. Producente e shfaqjes: Ori Kuçi. Skenografia u realizua nga Markel Capo. Muzika: Alban Male. As/produksioni: Valbona Ostreni.
Në premierë “Marta” pati për spektatorë ato që u quajtën të ftuara speciale. Bëhej fjalë për të dënuarat e burgut të grave “Ali Demi”, të cilat shijuan disa orë lirie, falë kësaj nisme të ndërmarrë nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me dy shoqata joqeveritare.
Pas shfaqjes 90-minutëshe, eventi i bamirësisë u zhvendos në hollin e teatrit, ku të pranishmit mund të blinin punime të ndryshme, të realizuara nga gratë e burgut “Ali Demi”.
Kësisoj, “Marta” nuk u duk se ishte vetëm një shfaqje teatrale. Ajo synoi t’u fliste atyre të cilave liria u mungon më së shumti!