*Shkrim nga blogerja Jill Filipovic për "Cosmopolitan"
E paimagjinueshmja sapo ndodhi: Donald Trump u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pak njerëzve iu duk e mundur. Të gjitha sondazhet favorizuan Clinton-in. Shpresonim se, edhe ata që nuk e duan Clinton-in, kur të përfytyronin Trump-in si president, do të kafshonin gjuhën dhe do të vinin shenjën tek emri i saj.
E nënvlerësuam mllefin e fuqishëm të burrave të bardhë inatçorë.
Sondazhet e para sugjeruan se burrat e bardhë vinin bast se Trump do të fitonte me shumë diferencë. Ndryshe nga ajo çfarë thuhet në media, se zgjedhja niset nga ankthi ekonomik dhe bazohet tek shtresat shoqërore, është gjithmonë e më e qartë se kjo fitore ka të bëjë me gjininë dhe racën. Këto zgjedhje na japin një mësim: racizmi dhe seksizmi vijojnë të jenë forcat e pamposhtura që motivojnë dhjetëra milionë amerikanë. Kurse feminizmi nuk ia doli ashtu siç shpresuam, sepse një grua kaq e përgatitur, humbi përpara një karagjozi teveqel.
Në çdo shtet tjetër normal këto zgjedhje do të kishin qenë si buka me djathë: Një grua me përvojë prej disa dekadash dhe një platformë përparimtare, që mblodhi rreth vetes më të mirët dhe luajti një lojë të shkëlqyer për të marrë votat. Një burrë pa përvojë politike, që ka falimentuar disa herë, që s'e vret mendjen për çështjet e rëndësishme të paragjykimeve mes racave dhe gjinive, me një grup katastrofë dhe një fushatë të dobët. E përsëri, fitoi.
Këto zgjedhje qenë një fyerje e rëndë, e thellë për të gjitha gratë kudo nëpër Amerikë. Mesazhi është thjesht shumë i qartë: Mund të jesh më e mira dhe të kesh punuar fort por, më vjen keq bukuroshe, kjo nuk mjafton. Çdo grua që nuk është ngritur në detyrë përballë një kolegu burrë më pak të suksesshëm, që është nënvlerësuar nga një profesor apo shok klase, që i kanë thënë se është më vajzë se ç'duhet apo se nuk ngjan si shkencëtare, e di për çfarë po flas: ti nuk mjafton, sepse je kjo që je. Kjo të luan mendsh, aq më tepër në një vend që pretendon të ketë barazi gjinore dhe ku gjithçka është e mundur. Shumë gra fajësojnë veten, madje mendojnë se ndoshta me të vërtetë nuk jemi aq të mira, aq të zgjuara, aq punëtore sa mendojmë.
Por, së paku, tani e kemi një shembull që tregon se mund të jesh një grua shumë e arrirë dhe prapë, të mposhtesh nga një burrë që është thellësisht, thelbësisht i keq.
Nuk është një dështim i feminizmit, por një dështim i Amerikës.
Artikullin e plotë mund ta lexoni tek "Cosmopolitan"
Titulli në origjinal: "How America Failed Women"
Autore: Jill Filipovic
Përshtati: Genta Hodo